Arbitri i dërgoi skuadrat në zhveshtore pas ndërhyrjes së ashpër të policisë gjeorgjiane ndaj tifozëve turq.
Pas më shumë se 30 minutash ndërprerjeje, skuadrat u rikthyen në fushë.
Ndeshja po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, për shkak të pamundësisë që klubet izraelite të luajnë në Turqi.
“Kaos në Batumi të Gjeorgjisë, ku po zhvillohet ndeshja e xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Evropës, ndërmjet Besiktasit dhe Hapoel Beer Shevas.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 25-të të pjesës së parë, kur rezultati ishte 0:0, për shkak të ndërhyrjes së ashpër të policisë gjeorgjiane ndaj tifozëve turq. Kjo shkaktoi reagimin e futbollistëve të klubit të drejtuar nga Vincenzo Italiano.
Takimi rifilloi pas rreth gjysmë ore ndërprerjeje. Tensionet kishin qenë të larta edhe para ndeshjes, pasi UEFA ishte detyruar ta organizonte takimin në fushë neutrale, për shkak se klubet izraelite nuk mund të zhvillonin ndeshje në territorin e Turqisë”, shkruan media italiane “La Gazzetta dello Sport”.
Para fillimit të ndeshjes, një tifoz i Besiktasit kishte valëvitur një flamur të Palestinës, duke shkaktuar ndërhyrjen e parë të policisë. Më pas, u shpalos edhe një pankartë me mbishkrimin: "Rebelim kundër pushtimit, liri për Palestinën".
“Megjithatë, situata doli jashtë kontrollit pak pas gjysmës së pjesës së parë, kur policët gjeorgjianë ndërhynë me ashpërsi të madhe në sektorin ku ishin të vendosur tifozët turq, duke përdorur edhe gaz lotsjellës.
Për këtë arsye, gjyqtari danez Krogh e ndërpreu ndeshjen dhe u drejtua për në zhveshtore, ndërsa futbollistët e Besiktasit u përpoqën t'i qetësonin tifozët e tyre”, shkruan media italiane.