Egnatia luan sot në orën 18:45 një ndeshje vendimtare për ecurinë e saj në Ligën e Konferencës.
Rrogozhinasit përballen me Linkoln Red Imps të Gjibraltarit dhe sigurisht që një fitore në “Air Albania” do të përmirësonte ndjeshëm shanset për vijimësinë në këtë turne përtej fazës në grup.
Edhe superkompjuteri i faqes së statistikave “OPTA” ka bërë parashikimin për ndeshjen, duke e cilësuar Egnatian si favorite për suksesin sot. Në mijëra simulime që i bëhen ndeshjeve nga sistemi kompjuterik i “OPTA”, rezulton se Egnatia del fituese në 59,4% të rasteve.
Ndërkohë, në 20% të rasteve është Linkoln fitues, kurse 20,5% e rasteve të simulimeve shohin ndeshjen që përfundon në barazim.
Ndërkaq, në faqen e UEFA-s për ndeshjen është publikuar edhe një sondazh për tifozët që të bëjnë parashikimin e tyre për sfidën.
Deri 3 orë para ndeshjes, Egnatia shihej fituese nga 64% e tifozëve, teksa 26% e shihnin ekipin e Linkoln si triumfues në “Air Albania”, ndërsa 10% ishin të bindur se ndeshja mbyllej në barazim.