​Nga Anglia në Spanjë, Evropa flet për Vedat Muriqin

Futboll

​Nga Anglia në Spanjë, Evropa flet për Vedat Muriqin

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 11:42
Vedat Muriqi

Fitorja e Fenerbahçes ndaj Shakhtar Donetskut, me Vedat Muriqin protagonist, ka marrë vëmendje të madhe në mediat evropiane. Sulmuesi shqiptar, i cili shënoi golin e vetëm të ndeshjes për fitoren 1:0 në Ligën e Kampionëve, është vlerësuar si heroi i skuadrës turke.

Mediumi i njohur turk “Sabah” i ka kushtuar hapësirë të veçantë triumfit të Fenerbahçes, duke theksuar jehonën që kjo fitore pati në mediat e Ukrainës, Anglisë, Spanjës dhe Kosovës.

Në mesin e mediumeve që raportuan për ndeshjen ishte edhe spanjollja “AS”, e cila theksoi se goli i vetëm i Vedat Muriqit ia siguroi tri pikët Fenerbahçes dhe ia vështirësoi Shakhtarit mundësinë për të avancuar në fazën tjetër të garës.

Edhe BBC raportoi për rëndësinë e kësaj fitoreje, duke vënë në pah se Fenerbahçe e regjistroi suksesin e dytë radhazi në Evropë, pas triumfit ndaj Liverpoolit.

Fitorja ndaj Shakhtarit ishte e dyta radhazi për Fenerbahçen në këtë garë, duke e çuar skuadrën në kuotën e tetë pikëve dhe në vendin e 16-të në renditje, sipas raportimit të “Sabah”.

Me këtë gol, Muriqi vazhdon të dëshmojë rëndësinë e tij në repartin ofensiv të skuadrës turke, ndërsa paraqitja e tij ka bërë që emri i sulmuesit kosovar të dominojë titujt sportivë në disa vende evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat