Dramë në udhëtimin e Beshiktashit

Futboll

Dramë në udhëtimin e Beshiktashit

Nga: BOTA SOT Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 15:47
Skuadra e Beshiktashit

Futbollistët e Beshiktashit përjetuan momente frike gjatë udhëtimit drejt Gjeorgjisë, ku i pret përballja me skuadrën izraelite Hapoel Beer Sheva në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Evropës.

Aeroplani që transportonte delegacionin e klubit nuk arriti të ulej në Batumi për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe breshrit, shkruan mediumi turk "Haberhurriyeti"

Piloti vendosi të ndërpriste uljen në momentin e fundit, duke shmangur një situatë potencialisht të rrezikshme.

Aeroplani ishte nisur në orën 15:00 nga aeroporti Sabiha Gokçen në Stamboll, por kushtet e vështira atmosferike në qytetin gjeorgjian e bënë të pamundur uljen.

Pas vendimit të pilotit, aeroplani u drejtua drejt aeroportit Rize-Artvin në Turqi, ku u ul pa probleme. Më pas, delegacioni i Beshiktashit vazhdoi udhëtimin drejt Gjeorgjisë me autobus.

Një udhëtim i vështirë prej tri orësh

Pas përfundimit të procedurave doganore në pikën kufitare Sarp, në rajonin e Kemal Pashës në Turqi, delegacioni i Beshiktashit hyri në Gjeorgji.

Pas rreth tri orësh udhëtim me autobus, skuadra mbërriti në hotelin ku do të qëndrojë në Batumi, ku u prit ngrohtësisht nga tifozët.

Onder Ozden: Përjetuam një rrezik të madh

Drejtori i futbollit te Beshiktashi, Onder Ozden, foli për momentet e vështira gjatë fluturimit, duke vlerësuar vendimin e pilotit për të mos vazhduar me uljen.

“Ishte një udhëtim disi i rrezikshëm, kjo është e vërtetë. Përjetuam një rrezik të madh. Nuk e di sa i saktë është vlerësimi im, por piloti mori një vendim shumë të mençur dhe hoqi dorë nga ulja në momentin e fundit. Me sa duket, e kuptoi se ulja ishte e pamundur.

Aty i shpëtuam një rreziku.

Njeriu ende nuk mund ta mposhtë natyrën. Përballja e njeriut me natyrën do të vazhdojë gjithmonë dhe në fund do të ndodhë ajo që vendos natyra”, deklaroi Ozden.

“Edhe unë u frikësova, të gjithë patën frikë”

Drejtori i futbollit i Beshiktashit pranoi se udhëtimi kishte shkaktuar frikë të madhe te të gjithë anëtarët e delegacionit, përfshirë edhe atë personalisht.

“Mendoja se nuk kisha frikë nga fluturimi, por duket se e paskam. Edhe unë u frikësova, natyrisht që të gjithë patën frikë. Kjo është krejt normale, sepse secili ka njerëzit e dashur dhe ata me të cilët dëshiron të bashkohet. Nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë.

Biseduam edhe me futbollistët, edhe mes vete. Besoj se ky ishte një nga udhëtimet më të rrezikshme që kam përjetuar ndonjëherë”, tha Ozden.

“Nuk do të fshihen pas arsyetimeve”

Përveç vështirësive gjatë udhëtimit, Ozden foli edhe për kohën e kufizuar të pushimit para derbit të ardhshëm. Ai theksoi se futbollistët nuk do t'i përdorin vështirësitë e përjetuara si justifikim.

“Është e vërtetë se koha për pushim para derbit është shumë e kufizuar. Kemi dy ditë më pak në dispozicion dhe, për më tepër, na pret një udhëtim në transfertë. Edhe ky udhëtim ishte mjaft i vështirë. Pritja në doganë, ajo që ndodhi në aeroplan...

Por, kur e shikoj ekipin profesionist të Beshiktashit, shoh heronj me histori për të treguar, jo njerëz pa vullnet që kërkojnë justifikime.

Ata nuk do të fshihen pas arsyetimeve, por do të përpiqen ta kryejnë punën dhe do t'ia dalin. Ne besojmë dhe kemi besim te ta. Nuk ka justifikime”, u shpreh Ozden.

Anulohet mbledhja taktike

Për shkak të problemeve të krijuara gjatë udhëtimit, ndryshoi edhe programi i skuadrës. Ozden bëri të ditur se futbollistët fillimisht do të pushonin dhe do të ushqeheshin, përpara se të vazhdonin përgatitjet, ndërsa mbledhja taktike ishte anuluar.

Ai falënderoi gjithashtu tifozët e Beshiktashit, të cilët kishin pritur skuadrën në pikën kufitare, pavarësisht të ftohtit dhe borës.

“I pamë në doganë. U jemi shumë mirënjohës. Tifozët e Beşiktaşit nuk na lënë kurrë vetëm, pavarësisht se ku ndodhemi. Ata udhëtojnë së bashku me skuadrën. Edhe ata pritën gjatë në doganë, nën borë. Nuk mund t'ua shpërblejmë kurrë gjithë këtë përkushtim”, deklaroi ai.

Shqetësim edhe për gjendjen e fushës në Batumi

Ozden foli edhe për gjendjen e fushës në stadiumin Dinamo Batumi, ku do të zhvillohet ndeshja.

Ai shpreson që reshjet e shiut të mos kenë ndikuar negativisht në terren, duke theksuar rëndësinë e gjendjes së barit për zhvillimin e lojës.

“Shpresoj që fusha të jetë në gjendje të mirë. Gjatësia e barit është shumë e rëndësishme për skuadrat që përpiqen të luajnë futboll. Ka edhe reshje shiu dhe shpresojmë që fusha të mos jetë dëmtuar”, përfundoi Ozden.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat