Privilegjet e një kalimi te Roma, Ernest Muçi do të përfitonte shumë

Futboll

Privilegjet e një kalimi te Roma, Ernest Muçi do të përfitonte shumë

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 15:51
Foto ilustruese: Gasperini, Malen, Muçi, Champions League

Kalimi nga Trabzonspor te Roma, do të ishte një privilegj i madh për Ernest Muçin.

Gjithmonë, nëse aludimi përkthehet në interest konkret dhe nga interesi në diskutime. Lajmi që ylli i Kombëtares e ëndërron një hap akoma më të madh, solli zhurmën e menjëhershme në vendin tonë dhe në Turqi.

Çfarë do ndryshonte për Ernest Muçin, nëse ky kalim do të bëhej realitet.

Së pari, do t'i bashkohej një kolonie shqiptarësh, si Mario Mitaj te Genoa, Medon Berisha te Lecce, Amir Rrahmani te Napoli, Luis Hasa te Frosinone, Alen Sherri te Cagliari, pa harruar Ardon Jasharin te Milani apo edhe Edon Zhegrovën te Juventus. Një numër më i madh shqiptarësh në elitën e futbollit italian, një tjetër rritje për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë në aspektet sportive. 

Së dyti, nga gara për titull në Superligën turke te e njëjta garë në Serie A, aty ku Roma shfaqet si pretendente, “kokë më kokë” me Lazion. Duhet pranuar se kontingjenti i kryeqytetasve është tejet i lakmueshëm, ku sheh cilësi në çdo repart. Por, një prezencë më shumë e Ernest Muçi do të shërbente si “qershi mbi tortë” për trajnerin Gian Piero Gasperinin. 

Nga Salah te Malen

Ernest Muçi ka marrë shumë nga ylli egjiptian, i cili la Liverpoolin për tokën turke. Shpesh i shohim duke bërë kombinime të mrekullueshme në fushë, ku njëri pason e tjetri shënon dhe anasjelltas. Një bashkëpunim që ka ngritur standardin e pogradecarit që të kërkojë prej shokut të skuadrës rekomandime tek skuadrat më të mira të botës.

Ëndrra e tij është Liverpool, por edhe Roma nuk mbetet pas. Nga Salah te Donyell Malen. Për Muçin do të ishte thjesht fantastike. Malen mban momentalisht statusin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm në radhët e Romës; golashënues, vendimtar dhe i papërmbajtshëm. Nëse do të kishte një Ernest Muçi si mbështetje, do të bëhej fenomen, e anasjelltas për Muçin në shembullin e ngjashëm. 

Nga Conference League në Champions

Do të ishte një ëndërr në sirtar. Momentalisht, Roma ndodhet jashtë pozitave për një kualifikim më tutje në raundet pasardhëse, por është ende në garë për të prekur së paku një vend në “play off”.

Ernest Muçi s'e ka përjetuar deri më sot ndjenjën e të qënit në fushë nën ritmin e netëve Champions, diçka që mund të konkretizohet nëse pista e Romës bëhet e gjallë dhe me intensitetin e duhur të bisedimeve. 

Një sërë privilegjesh, por më i madhi është vazhdimësia të cilën Ernest Muçi ka ditur ta kultivojë dhe ta përmirësojë. Trabzonspori ishte trampolina e tij e madhe, ndërsa tani uria e tij e drejton me të drejtë ndaj një tjetër destinacioni ku të spikasë akoma edhe më shumë si futbollist. Eksperienca nuk i mungon, aq më shumë mosha premtuese për të qenë më i miri në rolin e tij. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat