Llapi përmbys Malishevën për fitoren e tretë radhazi

Futboll

Llapi përmbys Malishevën për fitoren e tretë radhazi

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 15:48
Lojtarët e Llapit festojnë

Llapi po kalon një periudhë pozitive në fazën e fundit të stinorit vjeshtor në AlbiMall Superligën e Kosovës, pasi ka regjistruar fitoren e tretë radhazi. Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka triumfuar në udhëtim ndaj Malishevës, me rezultat 3:2, në ndeshjen hapëse të xhiros së 15-të.

Pas fitoreve ndaj Dukagjinit dhe Vushtrrisë, llapjanët kanë marrë tri pikë të rëndësishme edhe në stadiumin “Liman Gegaj”, përballë Malishevës, që po lufton për kreun e tabelës.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 23-të, kur Xhemal Ibishi shënoi për 1:0. Megjithatë, reagimi i Llapit ishte i menjëhershëm dhe vetëm dy minuta më vonë Fiton Ademi barazoi shifrat në 1:1.

Malisheva arriti ta rikthejë epërsinë në pjesën e parë. Për rezultatin 2:1 realizoi Kreshnik Uka, duke i dhënë avantazhin skuadrës vendase para pushimit.

Në pjesën e dytë, Llapi u rikthye fuqishëm në lojë. Në minutën e 61-të, Fiton Ademi realizoi golin e dytë personal, duke barazuar rezultatin në 2:2.

Një moment i rëndësishëm i ndeshjes ishte përjashtimi i mbrojtësit Arlind Veliu, i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Malishevën me një lojtar më pak.

Llapi shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 82-të arriti të shënojë golin e fitores. Pjero Shkariq realizoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar 3:2.

Me këtë fitore, Llapi pas 15 ndeshjeve ka 14 pikë dhe renditet në vendin e tetë në tabelë, ndërsa Malisheva mbetet në pozitën e dytë me 30 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat