Logjika e mbrapshtë e ligjit për Specialen!

Opinione

Logjika e mbrapshtë e ligjit për Specialen!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 27 nëntor 2026 Në ora: 12:02
Fotoilustrim

U dha vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit iu shqiptuan nga 25 vite burg. Ndërsa Kadri Veselit 18 e Rexhep Selimit 13 vite.

Shoqata e Veteranëve të Luftës në Kosovë u revoltua. Jo kundër Gjykatës e prokurorisë së Hagës, por kundër qeverisë dhe Albin Kurtit. U rebeluan edhe shumë politikanë të opozitës.

Daut Haradinaj deklaroi se në turmën e revoltuar, e cila kërkonte dorëheqjen e Donika Gërvallës, kishte me dhjetëra njerëz të armatosur me bomba dhe armë të tjera. Kurrkush nuk e pyeti Haradinajn për këtë deklaratë. Ndoshta presin që të qetësohen ujërat e të ndalet rrëkeja e madhe e urrejtjes kundër mullinjve të erës.

Kjo që ndodhi nuk kishte të bënte aspak me logjikën. Rruga e imponoi parlamentin e Kosovës të votonte një ligj, i cili bie në kundërshtim me aspiratën dhe rrugën e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Politikanët e dinin këtë fakt. E dinte edhe Bedri Hamza, edhe Vlora Çitaku, edhe Ramush Haradinaj.

Atëherë, pse këmbëngulën dhe u armatosën për t’ia imponuar sovranit votimin e një ligji antikombëtar e anti-Kosovë?! Sepse mungoi logjika. Sepse, kur mungon logjika, nuk mund të jesh më racional. Të mos qenit racional të bën radikal dhe radikalizmi është armiku më i madh i Kosovës, sidomos në kushtet kur ajo nuk është ende anëtare e OKB-së.

Miratimi i ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë do të ndryshonte rregullat e lojës në mes të rrugës. Logjikisht, do të shkaktonte, dhe shkaktoi, reagimin e ashpër të Bashkimit Europian. Në njëfarë mase, e dëmtoi imazhin e Kosovës.

Të qenit serioz në vendimet që merr është kusht i logjikës në arsyetim dhe gjykim. Të gjitha këto munguan. Politikanë që nuk janë të aftë të llogarisin se cili do të jetë përfundimi dhe pasoja e atij vendimi.

Por nuk reagoi vetëm Bashkimi Europian. Presidentja e Kosovës, Shiroka-Pula, nuk e nënshkroi dekretimin e ligjit. E ktheu mbrapsht në parlament me këshillën që ai ligj të rishikohet. Gjakrat u ftohën dhe PDK-ja bëri ndryshimin në lidership. Bedri Hamza mori përgjegjësinë, me qëllim që këtë barrë t’ia hiqte partisë.

Me sa duket, edhe në Hagë kaluan ditët e pamundësisë për të arsyetuar me logjikë. Dikush, p.sh. Hashimi, rekomandoi që të ndryshohet ligji dhe Kosova të mos i kundërvihej Gjykatës. Logjikisht, kështu duhej të ndodhte që në fillim, sepse një ligj anti-Hagë i Kosovës vetëm sa e rëndon pozitën e atyre që po gjykohen në shkallën e dytë të asaj gjykate.

Në fund të fundit, do të supozohej se Thaçi dhe të tjerët po imponojnë ndryshime ligjore për ta shpëtuar veten nga dënimi, jo për shkak të pafajësisë, por me metodat e manipulimit të procesit. Kjo mjafton që dënimi në Apel të ishte i barabartë me dënimin e Gjykatës së Faktit. Kjo është logjika e rrjedhës së fatit të atyre që janë sot në qelitë e Hagës.

Për këto arsye u mor kthesa. Në vend të Bedri Hamzës u komandua Vlora Çitaku. Jo se Vlora ka më shumë logjikë se Bedriu, por se duhej ndryshuar krushku i parë. Sot zonja Çitaku ka ftuar përfaqësuesin e Bashkimit Europian që të marrë pjesë në diskutimin për përmirësimet që i duhen bërë ligjit përkatës.

Nëse do të ishin të sinqertë, Vlora dhe deputetët e saj do të duhej të hiqnin dorë nga çfarëdo ligji për Gjykatën Speciale të Hagës. Sepse ndryshimet që reklamohen janë thjesht mashtrimi i radhës i militantëve dhe i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së. Kjo logjikë duhej të funksiononte. Nuk po funksionon.

Thirrja e përfaqësuesit të BE-së për t’u konsultuar për ligjin në fjalë është thjesht varkë shpëtimi nga përgjegjësia për atë që ndodhi në gjysmën e dytë të shtatorit të kaluar. Megjithatë, është mirë që PDK-ja është tërhequr deri në atë masë që ligji të bëhet në trajtën e ligjit të mëparshëm, pa ndryshuar asgjë prej tij.

Ligji do të ndryshojë dhe nuk do të ketë asnjë efekt për funksionimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Por e vërteta se parlamentit të Kosovës iu imponua vendimmarrja me armë nga rruga nuk do të ndryshojë. Pikërisht kjo është njolla më e madhe e mungesës së logjikës dhe racionalitetit në përgatitjen dhe miratimin e atij ligji.

Një njollë po aq e zezë sa edhe vendimi me 2/3 e votave të parlamentit për ta ngritur Gjykatën Speciale të Hagës. Po aq e zezë sa votat kundër rezolutës për të njohur gjenocidin serb në Kosovë dhe votat kundër për të hulumtuar përdhunimin e 20 mijë grave dhe vajzave të Kosovës nga policët, paramilitarët dhe ushtarët e Serbisë në kohën e mizorive, masakrave dhe gjenocidit që ata kryenin kundër shqiptarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat