Më 19 nëntor u mblodhën në Shenzhen të Republikës Popullore të Kinës tre liderët kryesorë të botës: presidenti amerikan Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin. Ngjarja u cilësua si historike, sepse ishte takimi i parë trepalësh midis tri superfuqive të botës. Nikoqir i samitit ishte presidenti kinez Xi. Gjestet e tij politike, si dhe deklarata e përbashkët, shënojnë një hap në drejtim të paqes dhe sigurisë globale.
Shenzheni ishte në vëmendjen e gjithë njerëzimit dhe jehona e tij vazhdon ende. Samiti madje u krahasua me Konferencën e Jaltës të shkurtit 1945, kur ende nuk kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Në atë takim, tri Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, SHBA-të, Bashkimi Sovjetik dhe Britania e Madhe, morën vendimet historike për rendin e ri botëror të pasluftës. Ishin atëherë Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli ata që vizatuan në hartë Europën dhe botën e pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe modelin e rendit të ri që po vinte. Por a është e drejtë që takimin e Shenzhenit ta krahasojmë me atë të Jaltës?! Besoj se krahasimi më i përshtatshëm është me Konferencën e Teheranit, të mbajtur në fund të nëntorit të vitit 1943 në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në kryeqytetin iranian.
Edhe në Teheran, tre udhëheqësit e botës së atëhershme, Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli, vendosën disa parime të përgjithshme të rendit të pas Luftës së Dytë Botërore, si p.sh. hapjen e frontit të dytë kundër Gjermanisë naziste në veri të Francës, parapëlqimin për ndarjen e Gjermanisë pas luftës dhe hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Japonisë. Deklarata e Shenzhenit i ngjan pak a shumë këtij formati dhe jo Konferencës së Jaltës, e cila zgjati tetë ditë, me diskutime dhe vendime konkrete për rendin botëror. Kjo do të thotë se Samiti i Shenzhenit ishte vetëm nisja e një procesi që synon të përfundojë me vendime për një rend të ri botëror. Në të ardhmen do të shohim një konferencë të re disaditore, ku do të mblidhen jo vetëm tri Fuqitë kryesore të kohës së sotme, por edhe Fuqi të tjera kontinentale ose rajonale.
Por le të kthehemi te Samiti i Shenzhenit. Udhëheqësi kinez Xi Jinping u shpreh aty se “Tani po ndodhin ndryshime të tilla që nuk i kemi parë prej 100 vjetësh dhe jemi ne ata që po i nxisim së bashku”. Pra, ka nisur një erë e re e rendit botëror: e shkuara duhet lënë pas dhe në vend të saj duhet ndërtuar një botë e re. Thelbi i kësaj bote duket se do të jetë rritja e autoritetit të OKB-së dhe të Këshillit të Sigurimit, por edhe ndryshimi ose forcimi i disa rregullave të sjelljes në raportet midis shteteve. Ka arsye të besohet se Xi kishte parasysh edhe vendimet e ardhshme për sigurinë dhe paqen globale. Takimi Trump–Xi–Putin u zhvillua në kuadër të samitit të 33-të të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), një forum rajonal e kontinental që përfshin afro dy të pestat e popullsisë së botës. Samiti i APEC-ut nuk u përdor thjesht si rast i përshtatshëm vendi e kohe për takimin e tre të mëdhenjve të botës, por edhe si model për ndërtimin e superstrukturës së re globale.
Kjo përpjekje u shpreh edhe në Deklaratën e Përbashkët të tre liderëve. Deklarata parasheh forcimin e rolit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të garantuar sigurinë, paqen dhe stabilitetin global, si dhe vendosjen e disa rregullave të reja për këtë qëllim. Nuk është e vështirë të besohet se këto tri Fuqi të Mëdha do të tentojnë ta shfrytëzojnë konfliktin në Ukrainë dhe atë në Lindjen e Mesme, përfshirë luftën në Iran, për të imponuar një rend të tillë, ku vendimet dhe autoriteti i OKB-së e i një Këshilli të Sigurimit të reformuar të jenë të detyrueshme jo vetëm për vendet e vogla e të mesme, por edhe për vendet e mëdha; jo vetëm për vendet e dobëta e të pazhvilluara, por edhe për vendet e fuqishme e të zhvilluara.
Por si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen? A do të ketë një Jaltë të re pas Shenzhenit? Dhe a do të jenë vetëm këto tri Fuqi të Mëdha ato që do të vendosin rregullat e rendit të ri botëror? Do të shohim se çfarë do të sjellin ngjarjet e së ardhmes së afërt. Megjithatë, duket se samiti trepalësh SHBA–Kinë–Rusi është vetëm fillimi i ndërtimit të një bote të re. Të shpresojmë se nga ky moment e deri te vendimet përfundimtare bota nuk do të zhytet në konflikte të reja e më të thella se ato ekzistuese. Lufta në Ukrainë dhe ajo në Lindjen e Mesme, me Iranin, janë dy pikat më nevralgjike të këtyre konflikteve. Historia ka dëshmuar se në periudha të tilla palët në konflikt e rrisin presionin ndaj njëra-tjetrës, me qëllim që të krijojnë një realitet të pakontestueshëm në terren. Edhe në rastin e konflikteve të sotme duhet pritur kjo, por ndoshta ngushëllon fakti se aktorët e këtyre konflikteve (Rusia në Ukrainë dhe SHBA-të në Iran) do të përmbahen në veprimet e tyre kundër palëve kundërshtare.
Ajo që pritet me interes lidhet me pjesëmarrjen e Fuqive të tjera në tryezën e diskutimeve dhe të vendimmarrjes. Është shumë e qartë se për Europën nuk mund të vendoset pa europianët dhe se për Lindjen e Mesme, e ndoshta edhe për Ballkanin, nuk mund të merren vendime pa Turqinë, por as pa Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë dhe Francën. Polonia është gjithashtu një aktor strategjik, që duhet të japë kontributin e saj në vendimmarrjet për Europën Lindore. Viktimat e luftës, si Ukraina dhe Irani, kanë dhe duhet ta kenë fjalën e tyre. Me rëndësi është që palët në konflikt të pajtohen me zgjidhjet përkatëse, sepse çdo zgjidhje e imponuar, qoftë edhe nga Fuqitë e Mëdha, është parapërgatitje për një konflikt të ri.
Kina, e cila nuk është e përfshirë në luftë, e ka shpallur qëndrimin e saj në favor të së drejtës së çdo populli e shteti, pavarësisht nga madhësia e territorit dhe numri i popullsisë. Nëse ky koncept përkrahet nga SHBA-të dhe Rusia, si dhe nga Fuqitë e tjera të Mëdha, atëherë ka shpresë se rendi i ri botëror do të bazohet në drejtësi dhe në ekuilibër ndërkombëtar.
Për ne në Kosovë, ky parim do të jetë provë konkrete. Forcimi i autoritetit të Këshillit të Sigurimit, pa një reformë të vërtetë të së drejtës së vetos, do të thotë në praktikë forcim i fjalës së Rusisë dhe të Kinës, dy anëtarëve të përhershëm që ende nuk e njohin Kosovën dhe që i mbajnë të mbyllura dyert e OKB-së për të. Prandaj, çdo rend i ri botëror që ndërtohet mbi një Këshill Sigurimi më të fuqishëm duhet të garantojë se vendimet për Ballkanin nuk do të merren mbi kokën e popujve të tij dhe pa aleatët perëndimorë që e kanë mbështetur shtetin e Kosovës.
Në fakt, SHBA-të kanë folur me gjuhën e barazisë midis kombeve që nga Konferenca e Paqes në Paris më 1919, kur presidenti Woodrow Wilson mbronte parimin e vetëvendosjes së popujve. Balanca që do të vendoset sot duhet t'i shërbejë qëndrueshmërisë së paqes, sigurisë globale dhe stabilitetit ndërkombëtar!