Ardon Jashari luajti në 15 minutat e fundit në fitoren e Milanit ndaj Atalantës

Futboll

Ardon Jashari luajti në 15 minutat e fundit në fitoren e Milanit ndaj Atalantës

Nga: K.G. Më: 18 tetor 2026 Në ora: 19:54
Pamje nga ndeshja Milani - Atalanta

Milani ka marrë tri pikë të mëdha në stadiumin “San Siro”, duke e mposhtur Atalantën me rezultat 3:2, në kuadër të javës së shtatë të Serisë A.

Mesfushori shqiptar Ardon Jashari u aktivizua në 15 minutat e fundit të takimit, duke u bërë pjesë e fitores së skuadrës kuqezi.

Christian Pulisic e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 13-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në minutën e 22-të, një lojtar i Atalantës preku topin me dorë brenda zonës së rreptësisë. Pas ndërhyrjes së sistemit VAR dhe rishikimit të pamjeve, gjyqtari akordoi penallti për Milanin.

Gonçalo Ramos u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 24-t dhe kaloi Milanin në epërsi 1:0.

Në fund të pjesës së parë, Adrien Rabiot shënoi golin e dytë për vendasit. Në minutën e 43-të, ai goditi fuqishëm nga skaji i zonës së rreptësisë, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për rezultatin 2:0.

Milani pati mundësinë ta thellonte epërsinë në pjesën e dytë, por Gonçalo Ramos nuk arriti të shënonte nga pika e bardhë, pasi portieri i Atalantës, Marco Carnesecchi, priti penalltinë.

Megjithatë, në minutën e 58-të, Milani shënoi golin e tretë. Pas një goditjeje nga këndi, Mario Gila e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 3:0.

Atalanta reagoi në minutën e 66-të, kur Nicola Zalewski asistoi për Gianluca Gaetanon, i cili shënoi me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të portës, duke e ngushtuar rezultatin në 3:1.

Në minutën e 81-të Krstoviq i Atalantës ka shënuar për rezultatin 3:2.

Pas shtatë javësh në Serinë A, Milani renditet në vendin e katërt me 15 pikë, ndërsa Atalanta zë vendin e dhjetë me nëntë pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat