Tre lojtarë përjashtohen përjetë në Kosovë

Hendboll

Tre lojtarë përjashtohen përjetë në Kosovë

Më: 23 prill 2023 Në ora: 23:24
Pamje nga incidenti në Vushtrri

Tre hendbollistët e Vushtrrisë janë shpallur fajtorë për sulmin e rëndë ndaj lojtarëve të Trepçës dhe janë përjashtuar përjetë nga hendbolli.

Komesari i Garave të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Isak Osmani, mori vendimin të dielën mbrëma.

Te dhuna e madhe erdhi të shtunën në Vushtrri, në ndeshjen kampionale Vushtrria – Trepça.

Janë sulmuar rëndë lojtarët e Trepçës nga lojtarët dhe tifozët e Vushtrrisë.

Derisa dënimet ndaj lojtarëve janë të ashpra, më lehtë ka shpëtuar klubi Vushtrria.

Halim Miftari, Asllan Gërguri dhe Haki Vllahija janë shpallur fajtorë dhe më nuk do të jenë në hendboll, nëse nuk ndryshohet vendimi.

Lojtari tjetër i Vushtrrisë, Fitim Klinaku, është dënuar me dy vjet moslojë.

Klinaku më herët ishte pjesë e Trepçës dhe mori pjesë në sulmin ndaj ish-skuadrës. Dhe u shpall fajtor.

Muhamet Hyseni, tjetër lojtar i Vushtrrisë, është dënuar me gjashtë muaj moslojë. Me një ndeshje moslojë është dënuar portieri i Trepçës, Meriton Lladrovci.

Sa i takon epilogut të ndeshjes Vushtrria – Trepça, ajo është regjistruar 10:0 në favor të skuadrës mitrovicase. Vushtrrisë i është marrë një pikë, ndërsa është dënuar edhe me minus dy pikë.

Pra gjithsej Vushtrria ka tri pikë më pak. Vushtrria është gjobitur me 800 euro gjithsej, ndërsa pesë ndeshjet e ardhshme do t’i luaj pa praninë e shikuesve.

Pas vendimeve të së dielës mbrëma, ka ndryshuar edhe renditja tabelore. Vushtrria prej vendit të tretë ka rënë në vendin e katërt me 26 pikë. Prishtina tani është e treta me 27 pikë. Besa Famgas në plejof starton prej vendit të parë me 50 pikë, ndërsa Trepça prej vendit të dytë me 34 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat