Vushtrria është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll, duke vazhduar kështu të jetë prej skuadrave kryesore në vend.
Kapitenia e Vushtrrisë, Burneta Rama thotë se ajo dhe bashkëlojtaret janë të lumtura që në fundjavë do të paraqiten në turneun final të Kupës së Republikës së Kosovës.
“Sigurisht se ne si ekip jemi të lumtur që kemi arritur të jemi në mesin e katër ekipeve më të mira.
Kemi punuar shumë dhe jemi më se të motivuara dhe të gatshme për lojë. Synimet tona janë të kemi paraqitje të mirë, të bëjmë lojë korrekte.
Nuk dorëzohemi asnjëherë. Në fakt edhe njihemi si ekip që nuk dorëzohet deri në momentin e fundi. Pavarësisht se jemi ekip me lojtare prej më të rejave, do të angazhohemi deri në fund.
Mendoj se ndeshje si këto të turneut final të kupës u ndihmojnë lojtareve të ndërtohen dhe sigurisht të përgatiten për të ardhmen e tyre”, ka thënë Burneta Rama.
Ajo ka udhëhequr Vushtrrinë drejt shumë trofeve. Ka dhënë kontribut të madh për hendbollin kosovar në përgjithësi.