Trepça e Vëllaznimi e kanë zhvilluar të mërkurën mbrëma ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt të Superligës së Kosovës në hendboll.
Bëhet fjalë për ndeshjen e mbetur të xhiros së 18-të. Ndonëse Trepça ishte vendase, ndeshja u luajt në Gjakovë.
Fitore me rezultat 37:33 ka shënuar skuadra mitrovicase. Pas pjesës së parë rezultat ishte 20:15 për “xehetarët”.
Yassine Henahen udhëhoqi Trepçën me 12 gola. Shtatë i kishte Sali Maxhera e pesë Akram El Kassassi.
Te Vëllaznimi nga shtatë gola i kishin Luigj Kolaj e Arbër Neziri, ndërsa gjashtë i realizoi Egzon Lluka.
Trepça përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e katërt me 34 pikë. Do të luaj në plejof. Vëllaznimi përfundoi i shtati me tetë pikë dhe do të luaj në plejaut.