Saraçini, Devaja, Buqinca e Salihu-Loshi dekorohen nga presidentja Vjosa Osmani

Hendboll

Saraçini, Devaja, Buqinca e Salihu-Loshi dekorohen nga presidentja Vjosa Osmani

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 22:46
Buqinca, Saraçini, Salihu-Loshi e Devaja,

Katër personalitete të shquara të hendbollit të Kosovës janë dekoruar të premten mbrëma nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Me Medalje Presidenciale të Meritave janë nderuar presidenti aktual i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, presidenti i nderit i FHK-së, Mexhit Devaja, doajeni i hendbollit, Beqir Buqinca dhe njëra prej pioniereve të hendbollit kosovar, Zijavere Salihu-Loshi.

Presidenti Saraçini u dekorua “për udhëheqje dhe promovim të hendbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Nën udhëheqjen e presidentit Saraçini, Federata e Hendbollit e Kosovës është pranuar me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit në vitin 2014. FHK-ja ishte federata e parë e sporteve kolektive e pranuar me të drejta të plota. Pranimi i FHK-së i hapi rrugë edhe pranimit ndërkombëtar të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Presidenti i nderit i FHK-së, Mexhit Devaja u dekorua me Medalje Presidenciale të Meritave për “udhëheqje dhe promovim të hendbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Nën udhëheqjen e tij, FHK-ja u pranua me të drejta të kushtëzuara në EHF që në vitin 2004, shumë vjet para federatave tjera sportive të vendit.

Doajenit Beqir Buqinca, Medalja Presidenciale e Meritave iu nda “për karrierë të pasur sportive dhe promovim të hendbollit të Kosovës”.

Pas karrierës së pasur si lojtar, Buqinca ishte trajner i Borcit të famshëm të Ferizajit në kohën më të lavdishme të këtij klubi.

Medalja Presidenciale e Meritave iu nda pionieres së hendbollit, Zijavere Salihu-Loshi “për karrierë të shquar sportive, edukim të sportistëve të rinj dhe promovim të hendbollit të Kosovës”.

Ajo është emblemë e klubit Prishtina dhe ka bërë histori të hendbollit në Kosovë, së bashku me disa pioniere të tjera. Është në hendboll për më shumë se pesë dekada.

Pos personaliteteve të hendbollit, nga presidentja Osmani janë dekoruar edhe personalitete nga futbolli e basketbolli, por edhe nga fusha të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat