Drejtuesit e FHK-së pritën në takim deputetë të Kuvendit të Kosovës

Hendboll

Drejtuesit e FHK-së pritën në takim deputetë të Kuvendit të Kosovës

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 22:06
Saraçini e Reshitaj

Anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, të martën janë pritur në takim në Federatën e Hendbollit të Kosovës.

Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci kanë pritur deputetin Ardian Gola, kryetar i komisionit, deputeten Albena Reshitaj, nënkryetare e komisionit dhe anëtaret e këtij komisioni: Arijeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Adriana Matoshi.

Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm Gjinovci kanë njoftuar deputetët me aktivitetet e Federatës së Hendbollit të Kosovës, ngjarjet ndërkombëtare që janë mbajtur e do të mbahen në Kosovë si dhe sukseset në vijimësi.

Ndërkohë deputetët janë interesuar lidhur me zbatimin e Ligjit për Sponsorizime në fushën e sportit. Është diskutuar për gjetjen e mundësive për përmirësimin e mëtejmë të ligjit si dhe lehtësimin e funksionimit të tij.

Drejtuesit e FHK-së kanë paraqitur qëndrimin se Ligji për Sponsorizime ka ndihmuar shumë sportin. Deputeti Gola ka treguar se ky komision ka themeluar grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai tha se interes i komisionit është vazhdimi i zbatimit të ligjit në fjalë.

Janë shkëmbyer ide e informata që ligji të jetë më lehtë i zbatueshëm dhe që të hyrat për sportin prej tij të jenë më të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat