Besa Famgas mezi fiton ndaj Kastriotit

Hendboll

Besa Famgas mezi fiton ndaj Kastriotit

Më: 17 prill 2022 Në ora: 11:15
Besa Famgas mezi fiton ndaj Kastriotit

Besa Famgas e ka përfunduar stinorin në Superligën A të Kosovës në hendboll me bilanc të qindpërqindtë. Në kuadër të xhiros së 28-të, Besa të shtunën në “Karagaçi” e mposhti Kastriotin e Ferizajt me rezultat 33:31.

Besa në plejof starton nga pozita e parë. I ka 28 fitore, përkatësisht 56 pikë. Në gjysmëfinale të plejofit do të përballet me Rahovecin e vendit të katërt.

Kastrioti përfundon i pesti me 27 pikë, por e pret sfida në turneun final të Kupës. Në gjysmëfinale takohet me Deçanin.

Një seri 6:0 e Besës hapi ndeshjen në Pejë. Vendasit e mbajtën epërsinë bindëse në pjesën e parë, që përfundoi 21:14.

Por ferizajasit nuk u dorëzuan. Në pjesën e dytë disa herë u afruan në dy gola e madje edhe në një gol. 31:30 e 32:31 ishte rezultati në minutat e fundit, por Besa më pas shënoi edhe një gol për fitoren 33:31.

Egzon Gjuka me 11 gola ishte më efikasi te Besa. Nga 5 i shënuan Deniz Terziqi e Victor Alonso.

Hamdi Salihu ishte shumë efikas te Kastrioti. I realizoi plot 14 gola. 8 i kishte braziliani Guilherme Da Silva Fernandez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat