​Dhuna dhe abuzimet të pranishme në sportin e Kosovës

Sporti

​Dhuna dhe abuzimet të pranishme në sportin e Kosovës

Më: 9 mars 2024 Në ora: 09:54
Blerina Imeri

Ashtu sikur në të gjithë botën, edhe në sportin kosovar nuk mungojnë rastet e dhunës dhe abuzimeve në sport, qofshin ato psiqike, fizike apo edhe seksuale. Edhe pse mungon denoncimi publik i tyre, nga federatat dhe Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK) thonë se këto dukuri negative po e mundojnë sportin vendor.

Për parandalimin e tyre, KOK-u ka filluar një fushatë vetëdijesimi për federatat, kur ndër të tjera do të kërkohet që secila federatë ta angazhojë një zyrtar për integritet i cili, sipas zyrtares ligjore në KOK, Blerina Imerit, do të shërbejë si adresë për shqetësimet e sportistëve.

Imeri: Zyrtari për integritet do të jetë adresë e sportistëve për shqetësimet që kanë

“Roli i tij është paraprakisht fillimi i procedurave të para brenda një organizate për mbrojtjen e sportit përkatës...Bisedojnë drejtpërdrejt me klubet, me sportistët, mbledhin informata, janë organ ku sportistët kanë të drejtë të drejtohen në mënyrë konfidenciale për një rast eventual i cili mund të ndodh i çfarëdo dukurie negative në kuadër të një sporti. Ky do të jetë pikërisht roli i këtij zyrtari për integritet”, nënvizoi Imeri.

Që ka raste abuzive në sport e pranon edhe sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku. Ajo thotë për KosovaPress se nuk duhet fshehur faktin që edhe sporti kosovar vuan nga kjo dukuri.

Dushku: Nuk duhet ta fshehim, edhe në Kosovë ka abuzime në sport

“Është shumë e rëndësishme që secila federatë ta ketë zyrtarin për integritet ku personat të cilët kanë nevojë të raportojnë dukuri të ndryshme negative duke filluar nga abuzimi, manipulimi i ndeshjeve, ngacmimi seksual dhe gjera të tjera që ta kenë një person kontaktues në federatën e tyre për të paraqitur rastin dhe më pas për të vazhduar në organet tjera shtetërore...Ngacmimet, manipulimet, të gjitha këto janë dukuri që ndodhin në të gjithë botën kështu që ne nuk kemi nevojë ta fshehim që nuk kemi edhe në Kosovë. Fakti që po organizojmë seminar të tillë ose të parandalohet ose të ndalohet nëse veç ka filluar të ndodh”, theksoi Dushku.

Si arsye për mos bërjen publike të rasteve të dhunës në sport, Imeri thotë se është frika nga linçimi publik që mund të iu bëhet personave të përfshirë në raste të tilla.

Imeri: Sportistët po hezitojnë t’i bëjnë publike rastet abuzive

“Raste konkrete nuk kemi. E kemi një rast që është publikuar disa vite më herët e që në çështje të tilla përfshihen edhe organet e drejtësisë dhe ky është plani ynë afatgjatë që në ta ardhmen ne të bashkëpunojmë edhe me prokurorinë e shtetit të cilët edhe do të përkujdesen për hulumtimin e rasteve të tilla. Shpresoj që mos të ndodhin kurrë në të ardhmen, por po besoj që po, edhe sportin kosovar e mundojnë raste të tilla, por kjo mund të jetë edhe si pasojë e mungesës së dijes apo edukimit të mjaftueshëm rreth këtyre temave sepse këto tema, jo vetëm në Kosovë, por në shumë shtete janë një lloj tabuje edhe nuk flasin shumë, nuk flasin prindërit, nuk flasin fëmijët nga frika prej prindërve, prindërit nga frika mos po dëgjon komshiu apo dikush dhe hezitojnë që t’i bëjnë publike.

Ndryshe, zyrtarin për integritet deri më tani e kanë të angazhuar vetëm Federata e Futbollit të Kosovës dhe Federata e Basketbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat