Detajet e takimit/ Rama i shkoi në zyrë, çfarë i kërkoi presidentit Meta - Bota Sot
Detajet e takimit/ Rama i shkoi në zyrë, çfarë i kërkoi presidentit Meta

Shqipëria

E martë, 21 gusht 2018

Detajet e takimit/ Rama i shkoi në zyrë, çfarë i kërkoi presidentit Meta

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 08:29
Edi Rama dhe Ilir Meta

Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka pritur në një takim në mbrëmje në Presidencë Kryeministrin Edi Rama. Takimi mes drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar është zhvilluar në një kohë që vendi pret një vendim për çeljen e negociatave dhe po finalizon një marrëveshje me Greqinë.

Burime të “Panorama” në Presidencë sqarojnë se kreu i qeverisë ka informuar Presidentin e Republikës në lidhje me ecurinë e negociatave me Greqinë dhe hapat që janë hedhur.

Sipas të njëjtave burime, Rama i ka kërkuar kreut të shtetit plotfuqishmërinë për të përmbyllur marrëveshjen e nisur me Greqinë, pasi duket se të dy shtetet kanë gjetur dakordësinë për të gjitha çështjet. Grupet negociatore, që nga koha kur u mandatuan nga qeveria shqiptare dhe ajo greke, kanë nisur negociatat dhe dokumentimin e marrëveshjes.

Si afat përfundimtar për finalizimin e kësaj marrëveshjeje është vendosur muaji qershor, ndaj edhe Kryeministri ka kërkuar plotfuqishmërinë nga kreu i shtetit. Ende mbetet i paqartë qëndrimi që do të mbajë Presidenti Meta, por burime të “Panorama“, sqarojnë se është kërkuar disa ditë kohë që kreu i shtetit të njihet me marrëveshjen.

Finalizimi i marrëveshjes me Greqinë do të korrespondojë edhe me marrjen e një përgjigjeje nga Bashkimi Europian në lidhje me çeljen e negociatave.

Pala greke ka premtuar se vendimi i saj do të jetë pozitiv për Shqipërinë, duke votuar pro çeljes së negociatave. Të njëjtat burime theksojnë se në takimin mes Kryeministrit Rama dhe kreut të shtetit, Ilir Meta, ka qenë edhe çështja e prishjes së Teatrit Kombëtar.

Disa ditë më parë, qeveria nxori një projektligj për të negociuar me një firmë për prishjen e teatrit dhe për ndërtimin e një teatri të ri, përfshirë edhe zhvillimin e zonës përreth. Kreu i shtetit disa javë më parë zhvilloi edhe takime me një përfaqësi të artistëve, të cilëve i premtoi se do të jetë në krah për të gjithë shqetësimin që kanë.

Takimi i Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama ka ndodhur jashtë vëmendjes së mediave. Një takim mes dy drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar kishte muaj që nuk zhvillohej. Hera e fundit që Meta priti në Presidencë Kryeministrin Rama ishte gjatë kohës kur qeveria shqiptare priste autorizimin për të nisur negociatat me Greqinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test