Dy orë tensione e përplasje, mbyllet protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës

Shqipëria

Dy orë tensione e përplasje, mbyllet protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës

Më: 26 prill 2024 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Molotovë, tensione e përplasje. Është kjo panorama që ofroi protesta e sotme e Rithemelimit, protestë së cilës iu bashkua Partia e Lirisë dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Protestuesit kanë vijuar me të njëjtin skenar, duke hedhur bomba molotov para derës së Bashkisë së Tiranës, e kanë tentuar shembjen e kordonit te sigurisë së policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të këtij institucioni.

Qëllimi i protestuesve, është dorëheqja e Kryebashkiakut Erion Veliaj, kërkesë kjo ardhur fill pas arrestimit të 3 ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.

Protestues të shumtë kanë tentuar të kalojnë kordonin e sigurisë të vendosur para Bashkisë, një prej të cilëve ka qenë edhe këshilltari bashkiak i “Bashkë Fitojmë” Tedi Blushi. Ky i fundit ka kaluar kordonin e policisë, por nuk ka arritur të futet në ambientet e Bashkisë, pasi është ndaluar nga forcat e shumta të policisë së pozicionuara para këtij institucioni.

Protesta e sotme nisi rreth orës 11:00 me thirrjet “hajdut”, “jep dorëheqjen”. Protestës së demokratëve iu bashkua edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët deklaruan se nuk do të lodhen deri në rrëzimin e qeverisë dhe dorëheqjen e Veliajt.

“Të merren masa deri sa këta të largohen, të mbyllen rrugët, të ndalohen makinat. Ne nuk do ndalojmë, do përballemi siç jemi përballur në gjithë këto vite. Çfarë votash keni ju? Mendoni se keni vota? Shihni si funksionon sistemi i drejtësisë”, deklaroi regjisori Edmond Budina.

Kujtojmë se protesta e fundit e demokratëve u shoqërua me tensione e përplasje. Protestuesit tentuan thyerjen e kordonit policor duke synuar hyrjen brenda ambienteve të Bashkisë, ndërsa hodhën molotovë e bojë para derës së institucionit.

Aktet e dhunës së opozitës u dënuan nga ambasada e SHBA-së, e BE-së, ambasada britanike, prezenca e OSBE-së dhe ambasada italiane.

Protesta erdhi disa javë pas arrestimit të 3 ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, ky i fundit i arrestuar më herët edhe për dosjen e inceneratorëve, për abuzim me tendera duke favorizuar kompaninë “5D” që vetë drejtonin. Gjithashtu 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.

SPAK pretendon se pronarë indirekt të kësaj kompanie janë dy ish- drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato dhe kjo kompani rezulton të ketë fituar miliona lekë në tenderat nga institucionet që vetë drejtonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat