Tensione në Kuvendin shqiptar, Ruçi i fik mikrofonin, Basha... - Bota Sot
Tensione në Kuvendin shqiptar, Ruçi i fik mikrofonin, Basha...

Shqipëria

E diel, 22 korrik 2018

Tensione në Kuvendin shqiptar, Ruçi i fik mikrofonin, Basha...

Më: 10 maj 2018 Në ora: 12:06
Edi Rama

(E plotësuar) - Opozita braktisi seancën plenare dhe fill pas kësaj foltores iu drejtua Kryeministri Edi Rama. Ai i lidhi akuzat e opozitës për trafik droge në drejtim të vëllait të ministrit të Brendshëm me reformën në drejtësi dhe hapjen e negociatave.

“Ajo që shihet zbuluar në këtë orvatje të re histerie është se vjen në kulmin e përpjekjes për të reformuar drejtësinë”, tha Rama.

Kryeministri iu referua heshtjes së ambasadorit amerikan si provë që akuzat e opozitës janë thjesht politike.

“Fakti është i njohur botërisht nga shqiptarët dhe nga ndërkombëtarët, se po të mos ishte, para se të flisnin këta të PD, do të kishte folur ambasadori amerikan, do të kishte folur Bashkimi Europian, do të kishin folur ata të cilët nuk kanë lënë rast pa folur, pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ambasadori amerikan nuk iu referua hiç këtij lajmi sensacional të këtyre, por iu referua një fakti tjetër, për të cilët këta më akuzuan mua personalisht përsa i përket kreut të Krimeve të Rënda. Nëse do të kishte një fije të vërtetë, do të kishte dalë miku ynë i shtrenjtë, njohësi i kudondodhur i gjithë proceseve tona për të vënë drejtësi në këtë vend”, vijoi Kryeministri.

Rama thotë se misioni i vërtetë i opozitës është edhe bllokimi i hapjes së negociatave dhe hedhjen e baltës tek vendet skeptike.

“Këta duan të vazhdojnë atë që kanë nisur, të pengojnë hapjen e negociatave duke vazhduar të helmojnë sa të munden gjakun dhe mendjen e kujtdo, në çdo Parlament të atyre vendeve që sot mbeten kyçe për vendimin që mund të jetë i interesuar për të thënë jo”, shtoi ai.

Kryeministri thotë se të njëjtën dosje të Agron Xhafajt, Partia Demokratike, para se ta publikonte në shqip e kishte shpërndarë në anglisht tek ndërkombëtarët.

“Dosja e rizbulimit sensacional, sipas këtyre, ka filluar të shpërndahet në anglisht. Unë e kam mësuar se çfarë do të thonin këta nga ata që dosjen e kishin lexuar anglisht”, shtoi ai.

Kryeministri shton se në gjashtë vite që socialistët janë në pushtet, nuk ka asnjë kërkesë qoftë formale apo informale nga autoritetet italiane për Agron Xhafajn, vëllain e Fatmir Xhafajt.

Image

Ruçi i fik mikrofonin, Basha thërret të tijtë në foltore

Qetësia me të cilën nisi seanca parlamentare pa praninë e opozitës dhe pa praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar ishte e rreme.

Deputetët e opozitës dhe anëtarët e kabinetit të Qeverisë hynë njëri pas tjetrit. Kulmi i tensionimit mbërriti në momentin kur fjalën e mori kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në fjalën e tij, Basha shënjestroi ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllain e tij, Agron Xhafaj, për të cilin publikoi një ditë më parë një dosje, që sipas Partisë Demokratike, provon që ai është i dënuar për trafik droge në Itali.

“Agron Xhafaj është pashai i drogës në Vlorë. Pashai i thërrasin dhe e ka shndërruar Vlorën në kryeqendrën mesdhetare të trafikut të kokainës”, tha Basha.

Pas thuajse 10 minutash, Gramoz Ruçi i fiku mikrofonin dhe menjëherë pas kësaj, Basha ua bëri me shenjë deputetëve të tij që t’i bashkohen në bllokimin e foltores.

Image

Tensione në Kuvend. Basha: Xhafaj, peshku i madh. PD ka fakte të reja për ministrin

Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se ka fakte të reja për shkelje ligjore, politike e penale të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, që sipas Bashës ka të bëjë me ndryshim të kodit të procedurës penale, kur ministri ishte në kreun e komisionit të reformës në drejtësi.

“Dje deklaroi se në raport me çështjen e dënimit të vëllait nuk ka pasur asnjë lloj pushteti për të ndikuar në asnjë lloj forme mbi të, ky është mashtrimi i dytë i tij për të mbrojtur veten e tij nga vepra penale e korrupsionit të zyrtarit të lartë, siç do provohet sot me dokumente zyrtare, Fatmir Xhafaj në detyrën e tij si kryetar i komisionit të reformës në drejtësi ka ndryshuar përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare Kodin e Procedurës Penale për të shpëtuar vëllain e tij, konkretisht nenin 491”, tha Basha.

Sipas tij Xhafa është peshku i madh, krimineli i pandëshkuar dhe të dy bashkë me të vëllanë “janë një prej kokave mafioze që kanë ndryshuar Vlorën në kryeqytetin e kokainës”.

Por ndërprerja e fjalës së Bashës, ka ngritur në këmbë deputetët e opozitës që janë mbledhur para foltores, teksa kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi thotë se koha e tij mbaroi. Ruçi mbylli seancën.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test