Avokati Spartak Ngjela i ftuar në rubrikën “Opinion” në “Neës 24” ka komentuar arrestimet e bujshme në Lezhë për tjetërsimin e pronave dhe lënien e tyre më pas në arrest shtëpiak.
Ngjela tha se pushteti gjyqësor është i korruptuar, po ashtu ai shtoi se në rastin e Lezhës ndaj gjyqësorit është bërë një presion i madh.
“Pushteti gjyqësor është i korruptuar dhe i paguximshëm. Është bërë një presion i madh me çështjen e tjetërsimit të pronave në Lezhë. Reforma në gjyqësor do ketë rregulla më të forta dhe gjyqtarët nuk do lihen rrugës. Krimi u forcua nga politika dhe mungesa e gjyqësorit. Këtu ka korrupsion kryeministror dhe korrupsion të pushtetit vendor.
Arrestimet në Lezhë janë shenjë e mirë, por ndaj të arrestuarve nuk duhet të jepej masa ‘arrest shtëpie’, se kjo masë nënkupton se i akuzuari mund të largohet. Gjykata në këto momente është e politizuar dhe i thotë politikës, mbahu që të të mbaj. Kjo është marrëveshja e heshtur mendoj unë” tha Ngjela.