Demokratët ngujohen në Kuvend, Berisha druhet nga ‘çimkat’

Shqipëria

Demokratët ngujohen në Kuvend, Berisha druhet nga ‘çimkat’

Më: 5 tetor 2017 Në ora: 14:12
Në seancën e sotme, demokratët kërkuan që të kishte debat për komisionin e reformës zgjedhore.

Demokratët kanë vendosur të ngujohen në Kuvend, në pritje të seancës së radhës.

Edhe pse seanca u ndërpre disa herë nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, demokratët nuk u tërhoqën nga foltorja.

Herën e fundit, Ruçi e shtyu seancën për në orën 18:00, por demokratët nuk u tërhoqën.

Ata thanë se nuk do largohen.

Në seancën e sotme, demokratët kërkuan që të kishte debat për komisionin e reformës zgjedhore.

Por kërkesa e tyre nuk u pranua. Kjo solli protestën e kreut të opozitës, Lulzim Basha, që bllokoi foltoren.

Për këtë arsye, Ruçi vendosi ta penalizojë Bashën duke e përjashtuar nga seanca e sotme.

Kjo solli revoltimin e demokratëve.

Pas përjashtimit të Bashës nga seanca plenare, reagoi deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.

“Do presim me qetësi të fillojë seanca dhe do të kërkojmë të drejtën tonë, nuk do ndodhë më t’i mbyllet goja opozitës. Konferenca u mblodh, objekti është përcaktuar, lista e folësve tanë depozituar që dje, ka vetëm një gjë, po themi që është mospërgatitja e mazhorancës, por jo, është mungesa e argumentit, ata nuk përballen dot me argumentin”, tha Alibeaj.

Kurse ish-kryeministri Sali Berisha tha se këtë qeveri nuk e zë dhjetori.

Ai tha se do u bashkohet deputetëve demokratë në protestën e tyre.

“Unë tani po futem në sallën e Kuvendit dhe qëllimet e mia do të jenë identike me qëllimet e grupit”.

Berisha hodhi dyshime se Ruçi ka vendosur çimka, duke bërë një paralajmërim për gazetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat