Pastrimi i rrugëve, drejtori i Mirëmbajtjes: Nga nesër evidentojmë objektet e paligjshme

Shqipëria

Pastrimi i rrugëve, drejtori i Mirëmbajtjes: Nga nesër evidentojmë objektet e paligjshme

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 18:21
Spartak Tarka

Një ditë pasi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se do të vijojë operacioni për pastrimin e akseve rrugore kombëtare nga objektet e paligjshme, janë ngritur edhe grupet e punës.

Duke filluar nga nesër, 20 shtator, do të nisë puna në terren për evidentimin e këtyre objekteve.

Duke folur për këtë aksion në rubrikën “Opinion” në “News24”, drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, pranë ARRSH-së, Spartak Tarka, tha se largimi i këtyre objekteve synon të rritë sigurinë në rrugë dhe të shmangë aksidentet.

“Pastrimi i akseve rrugore është i nevojshëm me qëllim që të shmangen aksidentet. Në rrugë duhet të ketë vetëm tabela dhe sinjalistika. Nuk do ketë tabela reklamë pa lejen e ARRSH. Synohet që të arrihen standardet europiane në këtë drejtim. Qëllimi i vetëm i këtij aksioni të shpëtohet jetë, të shmangen pasojat e aksidenteve. Për realizimin e këtij aksioni, janë ngritur grupe pune për të bërë verifikimin e terrenit, sidomos në vijën e parë. Distancat e reklamave do të jenë sipas standardeve të rrugës, do të zbatohet largësia që duhet të kenë. Nuk do të lejohet që të vendosen objekte që nuk janë në funksion të rrugës”, u shpreh Tarka.

Ai tha më tej, se të gjithë ata persona që kanë vendosur objekte të paligjshme buzë rrugës, do të kenë një afat 15-ditor për t’i larguar ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat