Ilir Meta: Rilindja si Ebola, viktima e parë është PS-ja. Ja sa fitojmë në Tiranë

Shqipëria

Ilir Meta: Rilindja si Ebola, viktima e parë është PS-ja. Ja sa fitojmë në Tiranë

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 07:51
Tubimi i LSI-së

Ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta ishte shumë i ashpër në fjalimin e mbajtur para qindra e mijëra simpatizantëve të LSI-së që ishin mbledhur në mitingun e madh në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. LSI-ja mbajti një miting të madh dje në kryeqytet, në orët e mbrëmjes, ku u shpalos programi i LSI-së dhe u prezantuan disa kandidatë për deputetë. Në miting morën fjalën edhe kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, zv.kryetarja Monika Kryemadhi, nënkryetari Rama dhe kandidatët për deputetë. Më i ashpri ishte Ilir Meta. Ai sulmoi drejtpërdrejtë Edi Ramën dhe Rilindjen e tij. Presidenti i ri e cilësoi Rilindjen si Ebola, që zhduk vlerat më të mira shoqërore. Kreu i Parlamentit tha se viktima e parë e Ebolas është Partia Socialiste, që sipas tij Rilindja ia ka zhdukur vlerat që ka pasur. Ai deklaroi se PS-ja është zëvendësuar nga Rilindja, që vetëm ka promovuar kriminelë.

“Ne nuk pranojmë deputetë me rekorde kriminelë. Ata i promovoi Rilindja, ne promovojmë të rinj dhe të reja, atdhetar, familje të thjeshta të Tiranës. Ne nuk duam që ky vend të braktiset, pasi çdo fëmijë që ikën nga Shqipëria lë një brengë në familje. LSI do jetë forcë e parë pasi ne nuk mund të jemi rrotë më rrotë me Sierra Leonen. Mirë në Sierra Leone ka pasur luftë cilivile dhe ka një sëmundje që quhet Ebola. Po këtu ça ka? Ne kemi një sëmundje të tmerrshme të vlerave më të mira shoqërorë, Ebola jonë quhet Rilindje. Ebola jonë është pabesia më e madhe që ka njohur kjo tokë në mijëra vjet. Viktimë e parë e kësaj Ebole është PS-ja, parti me vlera të shkëlqyer. Për fat të keq është zëvendësuar nga Rilindja”, pohoi Meta. Ai foli edhe për bashkëpunëtorët e tij dhe dha një vlerësim për një politikan.

“As një udhëheqës i PS-së nuk është përplasur më fortë se unë me Berishën, kur të tjerët linin shtetin dhe ia fusnin vrapit pyjeve të Maqedonisë, Ilir Meta i ka treguar vendin atij kur ka prekur institucionet. Për fat të keq të Ilir Metës, ia kam thënë dhe kryetarit të PS, ka qenë i pranishëm edhe Vasili, para se të miratohej reforma në drejtësi, për fatin tim të keq, unë kam qenë i detyruar që të bashkëpunoj me rilindasit, më seriozi ka qenë Sali Berisha. Kjo është fatkeqësi e madhe, pasi mbas 27 vitesh duhet të kishim shumë politikanë të tjerë se Ilir Meta dhe Berisha, e Edi Rama”, tha kryetari i Kuvendit. Sa i përket Bashës, Meta kishte një mesazh.

“Kam një mesazh edhe për Lulin dhe shpresoj ta dëgjojë mirë. Nuk i gënjen dot demokratët dhe as nuk i blen dot shpirtin e demokratëve duke u thënë hidhni triskat e LSI se LSI i fiton votat me vende pune. Jo Lulzim Basha ti nuk i ke humbur votat e PD-së për shkak se ke humbur vendet e punës. Unë i njoh mirë demokratët, kam luftuar ashpër me ata dhe kam bashkëpunuar si burrat me ata dhe jo në errësire. I mirë, i keq Sali Berisha, secili ka mendimin e tij, por demokratët ishin mësuar të kishin një lider me karakter dhe jo një lider vetëm me stomak. Demokratët duan një lider me karakter dhe jo një lider me stomak”, tha ai. Meta përmendi edhe dy raste ku ka ndërhyrë dhe ka shpëtuar Partinë Demokratike.“Dy herë në një vit e kam shpëtuar jo thjesht PD nga shkatërrimi, e para reforma në drejtësi. Pa vendosmërinë parimore të Ilir Metës për hir të stabilitetit të vendit PD-ja do ishte përçarë, poshtëruar dhe do ishte tharë në çadër që para një viti”, shtoi Meta

. Ish-kreu i LSI-së foli edhe për rezultatet e 25 qershorit. Në takimin e djeshëm ai tha se në kryeqytet kjo forcë do të marrë 12 deputetë. Meta ka folur edhe për sondazhet. “Sondazhet e rilindjes janë si palmat e rilindjes. Janë të shtrenjta, por janë të pashpresa siç janë tharë palmat e Rilindjes në autostradën Tiranë-Durrës. Aq mandate sa mori LSI në 2013 aq mandate do t’i marrë vetëm në Tiranë më 25 qershor”, tha Meta. Meta foli dhe për incidentin në Zharrëz, që ndodhi dy ditë më parë.

“Nuk jam mërzitur dhe nuk mërzitem kur dëgjoj çdo ditë sesi sekserët e Rilindjes apo Ebolës së Shqipërisë u turren njerëzve për të shitur LSI-në. E gjithë Shqipëria qesh me këta karagjoz. Kanë kaq thonë mos votoni për LSI se do na i çojë votat te PD-ja. Tani thonë mos votoni LSI-në se PS është bërë bashkë me PD, por nuk e themi dot”, tha Meta. Ndërkaq, Ilir Meta ka bërë edhe një akuzë të rëndë në adres të Edi Ramës. Ai ka bërë përgjegjës kryeministrin Rama për vrasjen e ish-efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në Lazart. “Ata që vranë një pjesëtar të forcave speciale për pastrimin e Lazaratit, e mbushën Shqipërinë dhe Europën me drogë”, akuzoi Meta. Ibrahim Basha u vra gjatë një kurthi të ngritur në Lazarat, ngjarje ku mbetën të plagosur edhe dy efektivë të tjerë.

Sfida e Metës për Ramën

Bashkëpunëtori i Edi Ramës në qeverisje në katër vjet e fitoi kryeministrin në një debat të hapur televiziv për të bërë bilancin e arritjeve dhe dështimeve të qeverisë në 44 muaj. “Kam një mesazh për socialistët që kanë ngelur në partinë që ka Rilindja. Ilir Meta është ai që keni njohur ju, që nuk ka gënjyer kurrë as fshatarin më të thjeshtë. Nëse Edi Rama që për muaj me radhë nuk pranoi të bënim analizën vërtetë beson në gënjeshtrat e tij, që iu servir se LSI ka qenë problem, LSI-në e ka drejtuar Ilir Meta dhe jam gati të dal në debat televiziv me Edi Ramën, ku të dojë ai dhe para gazetarëve të tij. nëse mendon se ka një program më të mirë se LSI-ja, Petrit Vasili kandidati ynë për kryeministër i ka ftuar në debat televiziv”, tha Meta. “Ne nuk kemi frikë nga transparenca, nga debati, nga zgjedhjet e lira. Sa i takon debatit që nuk po ndodh mes Tomit dhe Xherrit, le t’ia kursejmë popullit shqiptar këtë gjë, pasi janë e njëjta gjë, e njëjta alternativë”, shtoi ai.

Petrit Vasili: Të ndahemi nga Shqipëria që e qeveris një i çmendur

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka mbajtur një fjalim kundër kryeministrit Edi Rama në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa shpalosi një pjesë e planit të LSI-së. Në fjalën e tij, Vasili tha se shqiptarët duhet ta ndajnë vendin nga një njeri që qeverisë si i çmendur. Vasili ka kritikuar ashpër politikat që ka ndjekur kryeministri Rama gjatë këtyre viteve dhe deklaratat e tij për të bërë shtet. Përpara mijëra simpatizantëve të LSI-së, kreu i kësaj force politike, tha se plani për shtetin janë taksa të ulëta dhe jo shtetin që fut në burg dhe ua pinë gjakun shqiptarëve nëpërmjet taksave për tua dhënë më pas oligarkëve.

“Do doja të përqafoja të gjithë Shqipërinë, është dita jonë e madhe. Ky shesh nuk ka parë kurrë një festë kaq madhështore. Sot është dita që ne kthejmë përgjigjen e madhe për një plan të madh. Ne kemi një plan për Shqipërinë, për uljen e taksave, që i bën shqiptarët më të begatë, të mos punojnë për oligarkët, të mos punojnë më për tepsinë. Qindra e mijëra të rinj presin 25 qershorin për të vënë në vend dinjitetin, ky është plani për Shqipërinë, për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri të lirë. Ky është plani që ndryshon shteti, jo shteti që fut në burg, jo shteti që merr gjakun e pagave tuaja dhe ua jep oligarkëve. Është koha për të ngritur republikën e të rinjve jo republikën e re. Ne kemi një plan për të gjithë. Kemi taksa të ulëta, të rinjtë të parët, të tjerët kanë drogë, gjoba, plehra, koncesione. Vendi ka nevojë për autostrada zhvillimi. Të tjerët kanë tepsinë Shqipëria ka nevojë për një plan. Të ndahemi nga Shqipëria që e qeveris një i çmendur”, deklaroi Vasili. Në vijim të fjalës në mitingun e paralajmëruar ditë më parë, kryetari tha se plani i Lëvizjes Socialiste për Integrim është ulja e taksave dhe hapja e vendeve të reja të punës. Sërish Vasili theksoi se rinia është në qendër të programit së LSI-së për këto zgjedhje.

“Ne kemi një plan, planin për Shqipërinë, plani që i ul taksat e shqiptarëve, plan që të mos punojnë më dhe të derdhin gjakun për oligarkinë gjakpirëse dhe për tepsinë e pangopur të të panginjurve. Sot është dita tua japim këtë përgjigje. Ky është plani për rininë, ky është plani për një Shqipëri ndryshe. Ky është plani që ndërton shtetin, jo shtetin që fut në burg, jo shtetin që merr gjakun e pagave tuaja që ua kthen oligarkëve të panginjur në gjak dhe dhjamë”, u shpreh kryetari i LSI-së, ndërsa tha se data 25 qershor është data kur shqiptarët duhet të shporrin planin e tepsisë dhe timonit për të ndritur republikën e të rinjve. “Sot është dita e madhe që me planin tonë të shporrim planin e tepsisë dhe timonit për të ngritur Republikën e të rinjve dhe jo Republikën e re. Kemi taksa të ulëta, të rinjtë të parët, kemi bujqësinë dhe turizmit. Të tjerët kanë gjoba, koncesione vrastarëve. Me këto katër plane të mëdha, i kthejmë në katër plane të mëdha zhvillimi”, tha Vasili.

Kryemadhi: Shqipëria s’është cirku i kllounave

Zëvendëskryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në mitingun elektoral të kësaj force politike në kryeqytet ju bëri thirrje shqiptarëve që në 25 qershor të votojnë numrin 1, për t’u dhënë një shans të madh rinisë. Kryemadhi theksoi se Shqipëria nuk është cirku i kllounave, prandaj i duhet dhënë një shans LSI-së. “LSI-ja nuk është ajo që do të nënshtrohet para asnjë zjarri të vogël. Shqipëria është vendi i Teutës, Gentit, Skënderbeut, Ismail Qemalit, Shqipëria nuk është cirku i kllounave. Shqipëria është një vend që ne duam ta kthejmë në rrugën e duhur. Që Shqipëria të bëhet një vend evropian, duhet që LSI-ja të jetë forcë e parë. Shqipëria është vendi që ne duam”, deklaroi Kryemadhi. Mes të tjerash Kryemadhi tha se njishat votojnë njishin, renditje në të cilën është dhe LSI në listën e KQZ-së. “Shqipëria është vendi që ne duam. Sot Shqipëria ka një shans, dhe shansi është që të votoi nr.1. Duke votuar nr.1, ne i kemi një shans për të ecur para. Ne kemi nevojë për këtë rini entuziaste. Unë dua të them dy fjalë që mos të zgjatem; kam vetëm një kërkesë për të gjithë ju që jeni këtu.. Që secili nga ju, nga dita e sotme mos të ndalojë në asnjë moment….Ne duhet të votojmë çdo ditë për të votuar për LSI, për Arjanin, (djali i vogël që u ngjit në podium), dhe qindra fëmijë. Dua të më dëgjoni vetëm një minutë. Sot, na jepet shansi të gjithë ne deputetëve për të ardhur dhe për të dhënë mesazhin tonë për popullin. Mua më është bërë një privilegj i madh për të prezantuar këtu tre persona. Tre persona të cilët janë të veçantë. Për njërën nga ato që u kthye nga studimet jashtë shtetit, 8 vite më parë, dhe një vajzë tjetër maturante, dhe një tjetër vajzë. Gratë janë luftëtare të papare. Njishat votojnë njishën”, e mbylli fjalën e saj Kryemadhi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat