Meta takon ministrin e Jashtëm të Ukrainës: Vlerësim për marrëveshjen e heqjes së vizave

Shqipëria

Meta takon ministrin e Jashtëm të Ukrainës: Vlerësim për marrëveshjen e heqjes së vizave

Më: 4 nëntor 2016 Në ora: 15:37
Ilir Meta, Pavlo Klimkin

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Pavlo Klimkin, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Kryetari i Kuvendit, Meta, e vlerësoi këtë vizitë të Ministrit Klimkin në Tiranë si një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve, dhe shprehu vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për intensifikimin konkret të bashkëpunimit dypalësh. Në këtë kuadër u vlerësua nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e ndërsjelltë të viza ndërmjet dy vendeve.

Meta nënvizoi se populli ukrainas gëzon mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në përpjekjet e tij për demokraci, stabilitet dhe zhvillim dhe në këtë drejtim vuri në dukje se dy parlamentet do ta intensifikojnë bashkëpunimin mes tyre në interes të forcimit të miqësisë mes dy popujve tanë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Pavlo Klimkin shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë gjatë momenteve të krizës dhe shprehu vullnetin për thellimin e shkëmbimeve tregtare, ekonomike dhe njerëzore veçanërisht në fusha si turizmi, agro-përpunimi, bujqësia dhe arsimi.

Kryetari Meta dhe Ministri Klimlin vlerësuan në përfundim kontributin e diasporës shqiptare në Ukrainë prej mbi 200 vitesh, duke e cilësuar këtë komunitet si një urë të rëndësishme bashkëpunimi dhe miqësie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat