Politikanët që do hetohen nga SPAK: Përjashtohen ish-ministrat

Shqipëria

Politikanët që do hetohen nga SPAK: Përjashtohen ish-ministrat

Më: 5 maj 2016 Në ora: 09:32

Zbardhet drafti përfundimtar i ekspertëve të huaj për Reformën në Drejtësi. Në draft përcaktohet se gjyqtarët kushtetues që zgjidhen nga Kuvendi votohen me 3/5 e votave. Përcaktohet lista e zyrtarëve të lartë që hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme

Politika shqiptare ka më së fundi draftin final të ndryshimeve kushtetuese.

Ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS dhe OPDAT, dy organizma që përfaqësojnë BE-në dhe SHBA-në, i kanë dhënë dorën e fundit paketës së ndryshimeve kushtetuese dhe dje në prani edhe të ambasadorit amerikan, Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, ia kanë vënë atë në dispozicion Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Për të shmangur çdo lloj paqartësie mes palëve, ekspertët e huaj janë kujdesur për çështjet të cilat ata kanë vendosur përfundimisht t’i shkruajnë me ngjyrë të kuqe, duke u shpjeguar në të njëjtën kohë se ato janë qëndrime ezauruese që duhen miratuar.

Ndërkohë që për disa çështje të tjera të cilat kërkojnë një qëndrim politik nga partitë politike, ekspertët në këtë draft kanë dhënë nga dy variante, duke u lënë mundësi palëve të zgjedhin me konsensus.

Ajo që bie në sy në këtë draft final është se ekspertët e huaj kanë vendosur se për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhen 3/5 e votave të Kuvendit.

Ndërkohë që një ndryshim tjetër i rëndësishëm është edhe ai ku përcaktohet lista e zyrtarëve të lartë që do hetohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, ku janë përfshirë edhe Presidenti dhe të gjithë ish-presidentët, kryeministri dhe të gjithë ish-kryeministrat, ministrat, deputetët, gjyqtarët, prokurorët, e deri te kryetarët e bashkive.

Por ajo që bie në sy në këtë rast është përcaktimi që subjektet e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme janë edhe ish-ministrat e tri viteve të fundit.

Një përcaktim ky që lë jashtë mundësisë për t’u hetuar dhe gjykuar për veprat e korrupsionit ministrat e kohës së PD-së.

Ndërkohë që sa i përket Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit, ekspertët kanë vendosur që ato të jenë institucione të pavarura dhe që krijohen me ligj.

Ndërkohë që drejtuesi dhe 10 prokurorët e posaçëm zgjidhen dhe shkarkohen Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Neni 125

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë emërohen nga Kuvendi dhe tre anëtarë emërohen nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative. Anëtarët që emërohen nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi përzgjidhen nga lista e kandidatëve të hartuar dhe renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese garanton standardet e kandidimit të hapur, konkurrimit të ndershëm, transparencës dhe përzgjedhjes së kandidatëve më të kualifikuar.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk siguron shumicën e kërkuar prej tre të pestave, brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës së kandidatëve, kandidati i renditur më lart konsiderohet i emëruar.
Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të udhëhiqet nga parimi i përtëritjes çdo 3 vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë me shumicën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për një periudhë 3-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk merr në votimin e parë shumicën e kërkuar, zhvillohet një votim i dytë për dy kandidatët të cilët kanë marrë më shumë vota. Në rast se pas votimit të dytë, asnjë prej kandidatëve nuk merr shumicën e kërkuar të votave, atëherë përzgjidhet kandidati me më shumë vota. Në rast të barazisë së votave, Kryetari zgjidhet me short.

Neni 135

Gjykata e posaçme e shkallës së parë dhe e apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë, krijohet me ligj. Funksionarë të lartë përfshijnë Presidentin në detyrë dhe ish-Presidentët e Republikës, Kryetarin në detyrë dhe ish-Kryetarët e Kuvendit, Kryeministrin në detyrë dhe ish-Kryeministrat, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë, anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tre viteve të fundit, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Kryetarët e Bashkive dhe deputetët e Kuvendit, zëvendësministrat, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.

Gjyqtarët e gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në përputhje me këtë dispozitë dhe ligjin. Kryetari i gjykatës dhe gjyqtarët e këtyre gjykatave shkarkohen përpara përfundimit të mandatit në rastet e shkeljeve të rënda disiplinore me dy të tretat e votave të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjyqtarët dhe administrata gjyqësore u nënshtrohen me sukses verifikimit të pasurisë dhe të figurës. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk mund të emërojë asnjë gjyqtar pa marrë pëlqimin e tij dhe familjarëve të afërt për kontrollet periodike të llogarive bankare dhe telekomunikimeve personale, sipas ligjit. Telekomunikimet personale të familjarëve të afërt të cilët nuk kanë dhënë pëlqimin, do monitorohen vetëm me vendim gjykate.
Neni 136

Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Presidenti i Republikës brenda 7 ditëve nga dërgimi i propozimit prej Këshillit të Lartë Gjyqësor emëron anëtarin e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative.

Presidenti i Republikës ka të drejtë të mos pranojë propozimin e bërë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor vetëm një herë me dekret të arsyetuar, bazuar në shkaqe që lidhen me mosplotësimin e kritereve të kualifikimit ose në kushtet e pazgjedhshmërisë të kandidatit të parashikuara në Kushtetutë ose në ligj. Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk merr në votimin e parë shumicën e kërkuar, zhvillohet një votim i dytë për dy kandidatët të cilët kanë marrë më shumë vota. Në rast se pas votimit të dytë, asnjë prej kandidatëve nuk merr shumicën e kërkuar të votave, atëherë përzgjidhet kandidati me më shumë vota. Në rast të barazisë së votave, Kryetari zgjidhet me short. Ligji parashikon kriteret dhe procedurat e hollësishme për zgjedhjen e tij.

Neni 147

Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.
Anëtarët gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve me moral dhe integritet të lartë profesional sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha shkallëve të gjyqësorit. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen dhe renditjen e kandidatëve, të cilët vijnë nga radhët e gjyqësorit, rregullohen me ligj.
Neni 147/d

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe me iniciativën e tij për hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
Neni 147/e (Opsione të mundshme)

Pretendimet lidhur me shkeljet disiplinore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë hetohen nga një deputet i Kuvendit duke respektuar të drejtën e tij për proces të drejtë, sipas ligjit. Deputeti paraqet raportin mbi gjetjet pranë Tribunalit Disiplinor në përputhje më rregullat e parashikuara në ligj. Deputeti i cili kryen hetimin duhet të ketë arsim të lartë juridik dhe zgjidhet me short nga Kryetari i Kuvendit midis anëtarëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Neni 147/f (Opsion i mundshëm)

Tribunali Disiplinor i Drejtësisë vendos në lidhje me masat disiplinore për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Ankimet kundër vendimeve të Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë, si dhe ankimet kundër vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.
Neni 148

Prokuroria e Posaçme për ndjekjen penale si dhe njësia e posaçme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm dhe krijohen me ligj. Njësia e posaçme hetimore raporton vetëm te Prokuroria e Posaçme.

a) Prokuroria e Posaçme ushtron funksionet pranë gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
b) Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron të paktën 10 prokurorë, me mandat 9-vjeçar, në Prokurorinë e Posaçme. Në rast nevoje, ai vendos shtimin e numrit të prokurorëve. Ligji parashikon kriteret dhe procedurat transparente dhe publike për përzgjedhjen e tyre. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me mandat 3-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, sipas ligjit. Drejtuesi dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme shkarkohen përpara përfundimit të mandatit në rastet e shkeljeve të rënda disiplinore me dy të tretat e votave të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
c) Drejtuesi dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, oficerët e hetimit dhe punonjësit e administratës u nënshtrohen me sukses verifikimit të pasurisë dhe të figurës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk mund të emërojë asnjë drejtues ose prokuror të Prokurorisë së Posaçme pa marrë pëlqimin e tij dhe familjarëve të afërt për kontrollet periodike të llogarive bankare dhe telekomunikimeve personale, sipas ligjit. Oficerët e hetimit dhe punonjësit e administratës i nënshtrohen gjithashtu kontrollit periodik të llogarive bankare dhe telekomunikimeve personale, sipas ligjit. Telekomunikimet personale të atyre të cilët nuk kanë dhënë pëlqimin, do të monitorohen vetëm me vendim gjykate.
Neni 148/a

Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo prokurorë.
Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me moral dhe integritet të lartë profesional sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha shkallëve të prokurorisë. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen dhe renditjen e kandidatëve, të cilët vijnë nga radhët e prokurorisë, rregullohen me ligj.
Neni 148/b

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ushtron këto përgjegjësi:
a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve, duke përfshirë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme;
b) vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve e të gjitha niveleve duke përfshirë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, përveç kur parashikohet ndryshe në Nenin 179/b, duke respektuar parimet e gjykimit të drejtë.
Neni 149

Prokurori i Përgjithshëm emërohet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Bazuar në një thirrje publike për kandidatët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe rendit sipas një procedure transparente dhe publike tre kandidatët më të kualifikuar dhe me reputacion më të mirë dhe ia përcjellë ata Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk emëron Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm parashikohet me ligj.
Prokurori i Përgjithshëm emërohet për një periudhë 7-vjeçare pa të drejtë riemërimi.
Neni B

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, udhëhiqet nga Komisioni Evropian dhe krijohet me qëllim mbështetjen e procesit të rivlerësimit, në bashkëpunim me partnerët, në kuadrin e integrimit evropian dhe bashkëpunimit euro-atlantik. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e të gjithë procesit të rivlerësimit. Në veçanti, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë pasi njofton Këshillin e Ministrave.
Vëzhguesi ndërkombëtar janë anëtarë, me jo më pak se 15 vjet eksperiencë si gjyqtarë apo prokurorë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse. Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda.
Vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra dhe kompetenca:
a) marrin menjëherë të gjitha informacionet, të dhëna për persona dhe dokumente të nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe shkallët;
b) japin rekomandime për Avokatin e Popullit, lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionit e anëtarit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik.
Neni Ç

Rivlerësimi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit mund të urdhërojë individë dhe shoqëri tregtare të dëshmojnë ose japin prova në përputhje me këtë ligj.

Në zbatim të ligjit, personeli i Komisionit i Pavarur i Kualifikimit dhe i Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit përgatit nga një dosje me raportet, rekomandimet dhe të dhënat mbi pasuritë, figurën dhe vlerësimin e aftësisë profesionale të çdo subjekti të vlerësimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit shqyrton çdo dosje të vlerësimit dhe dokumentet e depozituara nga subjekti i vlerësimit, në përputhje me procedurat e parashikuara në ligj. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit merr vendim bazuar në shqyrtimin e njërës prej dosjeve të vlerësimit sipas paragrafit 1 të këtij Neni ose bazuar në vlerësimin tërësor të të tre komponentëve të vlerësimit dhe informacionit të siguruar. Komisionit i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit gjatë punës së tyre respektojnë parimet e parashikuara në Nenin 179/b të Kushtetutës.

Neni D

Vlerësimi i Pasurive

Subjektet e vlerësimit i nënshtrohen deklarimit dhe kontrollit të pasurive të tyre me qëllim që të identifikohen ata që kanë në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht, ose ata që nuk i kanë deklaruar saktësisht dhe plotësisht pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur.

Subjekti vlerësues duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të ardhurave. Pasuri e ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Elementë të detajuar të pasurisë së ligjshme përcaktohet me ligj.

Nëse subjekti i vlerësimit ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, zbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti i vlerësimit ngarkohet me barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën. Kalimi i barrës së provës te subjekti vlerësues zbatohet vetëm për këtë vlerësim dhe, në veçanti, jo për procedime penale të tjera.
Nëse subjekti i vlerësimit nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë ose përpiqet të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi ose në posedim të tij ose në përdorim të tij, zbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti i vlerësimit ngarkohet me barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën. Kalimi i barrës së provës te subjekti vlerësues zbatohet vetëm për këtë vlerësim dhe, në veçanti, jo për procedime penale të tjera.
Neni DH

Kontrolli i Figurës

Subjektet e vlerësimit dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën dhe prova të tjera të përshtatshme duke përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja.

Subjektet e vlerësimit plotësojnë dhe i dorëzojnë Komisionit një deklaratë të detajuar mbi figurën e tyre që mbulon periudhën 1 Janar 2012 deri në ditën e deklarimit siç parashikohet në ligj. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë procedure dhe në asnjë rast nuk mund të përdoret në një çështje penale.

Nëse subjekti i vlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti i vlerësimit ngarkohet me barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën. Kalimi i barrës së provës te subjekti vlerësues zbatohet vetëm për këtë vlerësim dhe, në veçanti, jo për procedime penale të tjera.

Nëse subjekti i vlerësimit nuk e dorëzon në kohë deklaratën mbi figurën, ose përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet me personat e përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti i vlerësimit ngarkohet me barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën. Kalimi i barrës së provës te subjekti vlerësues zbatohet vetëm për këtë vlerësim dhe, në veçanti, jo për procedime penale të tjera.

Dorëheqja

Subjekti i vlerësuar mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe procesi i vlerësimit ndërpritet menjëherë.
Nëse subjekti i vlerësuar jep dorëheqjen ai përfiton menjëherë nga e drejta e pensionit sipas ligjit në fuqi.
Subjekti i vlerësuar i cili dorëhiqet sipas kësaj dispozite nuk mund të emërohet gjyqtar në asnjë shkallë të gjyqësorit, prokuror, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 10-vjeçare./mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat