PD harton 4 platformat e programit të saj

Shqipëria

PD harton 4 platformat e programit të saj

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 14:01

Partia Demokratike, përmes një njoftimi për mediat, bën me dije se ka përfunduar hartimin e 4 platformave të programit të saj. Selia blu thekson se ndër prioritet kryesore të saj janë zhvillimi, punësimi, përmirësimi i jetës, ulja e taksave dhe thjeshtimi i procedurave.

Departamentet e Sigurisë Kombëtare, Financave Publike, Punësimit dhe Çështjeve Sociale, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë zhvilluar diskutimet dhe konsultimet me anëtarët e departamenteve, deputetët dhe ekspertët e fushës.

“Departamenti i Financave Publike, gjatë prezantimit të programit u përqendrua në uljen e taksave me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit në Tatim-Dogana. Vendosja e taksës së sheshtë në nivelin 9 për qind mbi të ardhurat dhe kontributet, ulja e normës së TVSH në nivelin 15 për qind, eliminim i taksave të fshehta apo tarifave administrative paralele, siç janë taksat mbi karburantet dhe ambientin dhe lehtësim të procedurave, parashikon platforma fiskale e demokratëve”, bën të ditur PD.

Ndërkohë Departamenti i Punësimit dhe Çështjet Sociale, u fokusua tek programi i punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës, nëpërmjet rritjes së pagës minimale dhe rritjen e masës së ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë.

Sa i takon Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, rëndësi iu kushtua fuqizimit të institucioneve të artit dhe kulturës, rivitalizimit të monumenteve të trashëgimisë, ngritjes së strukturave përgjegjëse për të drejtën e autorit, programeve për rininë dhe hartimit të një strategjie me standarde evropiane për fuqizimin e saj.

E fundit, por jo për nga rëndësia, ishte platforma e sigurisë kombëtare, që sipas PD-së “synon t’i rikthejë Forcave të Armatosura statusin dhe misionin e tyre, sipas standardeve të Aleancës së Atlantikut, reformave të lëna pas dore dhe të kapura nga interesat klanore gjatë këtyre viteve të qeverisë së majtë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat