Ndryshimet në Qeveri, LSI shton presionin ndaj Ramës/Vasili: Duhen impulse të reja, por vendos Kryeministri

Shqipëria

Ndryshimet në Qeveri, LSI shton presionin ndaj Ramës/Vasili: Duhen impulse të reja, por vendos Kryeministri

Nga: Gjergj Koja Më: 6 tetor 2015 Në ora: 19:06

Një tjetër drejtues i LSI-së ka vënë theksin në impulset e reja të Qeverisë, duke mbështetur në këtë mënyrë qëndrimin e Kryeparlamentarit Ilir Meta. Pas këtij të fundit dhe ministrit të Drejtësisë Nasip Naco, edhe kreu i deputetëve të LSI-së Petrit Vasili ka kërkuar ndryshimet në Qeveri.

Megjithëse Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kërkesa për ndryshim të qeverisë bëhet nga opozita, ajo që është fakt duket, presionin kryesor mbi Kreun e Qeverisë po e ushtrojnë LSI dhe drejtuesit e kësaj partie. Madje, strategjia që ka zgjedhur LSI duket se është ajo që në rast se kabineti nuk do të ndryshohet, atëherë përgjegjësinë për mosrealizimin e reformave apo arritjen e pritshëmrive e ka Kryeministri. Kjo artikulohet në frazën kur pas cdo kërkese për impulse të reja në Qeveri, LSI thekson se një gjë të tillë e vendos Kryeministri.

“Gjithmonë një qeverisje ka nevojë për impulse, për frymëzim. Nga aksionet, reformat që ndërmerr, sepse përballja me problemet ekonomike, konteksti i krizës që rrethon rajonin, pritshmëritë e mëdha që publiku ka, një pushtet i ri vendor që u vendos pas 21 qershorit, kërkojnë ritme të larta, arritje. Për këto ka nevojë për impulse të vazhdueshme. Ai që punon dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme punën e kabinetit është kryeministri. Ai konkludon kur shpreh vlerësimet e tij dhe nëse ka rezerva është në tagrin e tij për të bërë ndryshime. Ne do ta mbështesim politikisht me të gjithë fuqinë e mandatit që kemi, që qeverisja të jetë efiçente dhe e mirë”, thotë Vasili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat