Basha: Në zgjedhjet e ardhshme PD e fuqizuar. Takimi Rama-Meta? Normale që bashkëfajtorët të takohen

Shqipëria

Basha: Në zgjedhjet e ardhshme PD e fuqizuar. Takimi Rama-Meta? Normale që bashkëfajtorët të takohen

Më: 3 tetor 2015 Në ora: 19:45

(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur pasditen e sotme kryesinë e partisë për të diskutuar për arsyet e humbjes së zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, analizë e cila pritet të sjellë edhe ndryshime në kupolën drejtuese të degëve në rrethe. Mbledhja që ka nisur rreth orës 19:00 ka zgjatur më shumë se dy orë, ndërsa në përfundim, Kreu i PD-së ka dhënë disa detaje nga kjo analizë. Basha deklaroi se PD dhe ai vetë janë të vendosur të nxjerrin mësime me qëllim përmirësimin dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme, ku kjo forcë sipas tij do të shkojë e fuqizuar.

“Mbledhja kishte në fokus riorganizimin e PD-së, pas rezultateve të zgjedhjeve. PD dhe unë jemi të vendosur të nxjerrim mësimet tona, me qëllim përmirësimin në nivel organizativ të strukturës dhe përgatitjen e fuqishme për përballjen e ardhshme në zgjedhjet parlamentare, në të cilat PD do të shkojë e fuqizuar me numrin e ndjekësve, me një program dhe ofertë bindëse për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza morale, ekonomike dhe politike ku e ka futur kjo qeveri”, tha Basha.

Duke folur për vendimet e kësaj mbledhjeje, kreu i PD-së, pohoi se do të ngrihen grupe pune që do të merren me organizmin e partisë dhe hartimin e programit. Sipas Bashës riorganizimi do të bëhet pas konsultimeve me anëtarësinë në terren.

“U morën një sërë vendimesh për grupet e punës që do të merren me organizimin e partisë dhe për hartimin e programit tonë. Në këtë mbledhje u sanksionua ngritja e komisionit të përhershëm të Integritetit dhe Etikës, të drejtuar nga zoti Halim Kosova.

Grupi i punës do të sjellë rekomandime të plota, pas konsultimit me anëtarësinë në terren. Në kryesi pati një raport nga sekretariati, që ishte shterues përsa i përket problematikave”, tha Basha.

Kreu i PD-së ka komentuar edhe takimin e pasdites mes kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

“Normale që bashkëfajtorët të takohen, të puthen, të pështyhen, nesër mund të pajtohen. Kanë harruar hallet e shqiptarëve. Por PD nuk i ka harruar”, tha Basha, i cili njoftoi gjithashtu se nga java e ardhshme do të jetë në terren për të takuar qytetarët.

“Strukturat e PD-së janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Nga java e ardhshme do të jem në terren”, u shpreh ai.

Mbaron takimi Meta-Rama, Basha mbledh urgjent kryesinë e PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thirrur një mbledhje urgjente të Kryesisë së partisë menjëherë pas takimit kokë më kokë Rama-Meta, që zgjati plot 90 minuta në Kryesinë e Kuvendit.

Zhvillimet intensive në kampin socialist, që kanë të bëjnë me skandalin e CEZ dhe ndoshta me një rifreskim të qeverisë, ku përflitet që vendin e ministrit Naço ta zëjë Tahiri, kanë bërë që lideri i demokratëve të mbledhë Kryesinë e PD-së për të diskutuar në lidhje me këto lëvizje.

Nga burimet mësohet se, në mbledhje do të diskutohet riorganizimi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Grupi i punës i ka dhënë dorën e fundit një raporti të detajuar për rezultatet negative dhe pozitive në çdo qendër votimi, fshatra dhe qytete, të përfshira tashmë në 61 njësi vendore, 15 prej të cilave u fituan nga demokratët.

Departamentet, krerët e të cilëve janë dhe anëtarë të kryesisë kanë punuar për hartimin e programit në fushat respektive, ndërkohë që ai po konsultohet edhe me parti simotra, si CDU e kancelares Merkel, ndërkohë që në një tur të afërt do t’u merret mendimi edhe qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat