Policia e Shtetit me fytyrë të re brenda 2 vitesh/ 71 milionë euro për uniformat, armët dhe 1 mijë makina

Shqipëria

Policia e Shtetit me fytyrë të re brenda 2 vitesh/ 71 milionë euro për uniformat, armët dhe 1 mijë makina

Nga: Gjergj Koja Më: 5 shtator 2015 Në ora: 09:39

Policia e Shtetit do të ndryshojë fytyrën brenda dy vitesh. Kjo mundësohet nga buxheti prej 71 milionë eurosh që i është vënë në dispozicion Policisë së Shtetit për uniformat e reja, armët, por edhe 1mijë automjete të reja që do të vihen në shërbim të uniformave blu.

Ligji i miratuar në Fletoren Zyrtare si pjesë e Strategjisë 5¬vjeçare të Rendit Publik dhe planit 2¬ vjeçar të veprimit të Policisë së Shtetit, ku përcaktohet se vetëm për përmirësimin e shërbimeve të forcave të rendit, në zbatim të kësaj strategjie, është përllogaritur një buxhet prej 100 milionë eurosh, ose 14.5 miliardë lekë.

Objektivat e parashikuar në strategjinë afatgjatë të Rendit Publik, synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe teknologjisë, gjendjen e infrastrukturës ndërtimore, përmirësimin e shërbimit të transportit, armatimit, uniformës dhe drejtimeve të tjera logjistike sipas parametrave më të mirë bashkëkohorë.

Për këtë është kërkuar nga drejtuesit dhe është miratuar nga Qeveria një mbështetje financiare e konsiderueshme, si nga buxheti i shtetit, ashtu dhe donatorë të huaj, me qëllim orientimin e asistencës së tyre kundrejt këtyre projekteve strategjike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat