Riformato 2.0: Si u zbulua rrjeti ajror i drogës

Shqipëria

Riformato 2.0: Si u zbulua rrjeti ajror i drogës

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 09:06

Arrestimi i disa shpërndarësve në zonën e Riminit në Itali zbuloi se marijuana që ata shisnin i përkiste së njëjtës sasi droge që trafikohej nga anëtarë të familjeve Ahmetaj dhe Lamaj. Policia italiane siguroi të dhëna se ata kishin në pronësi një avion dhe plantacione kanabisi në Shqipëri. Në dy muaj u sekuestruan 15 kilogramë kokainë dhe një sasi e konsiderueshme kanabisi.

Arrestimi i disa shpërndarësve të vegjël në zonën e Riminit do të ishte zanafilla e zbulimit të një rrjeti narkotrafiku mes Shqipërisë dhe Italisë, i cili kryhej nga anëtarë të dy familjeve vlonjate. Drejtoria e Antimafias në Bolonja në janar të këtij viti ka nisur një hetim në shkallë të gjerë për trafikun e narkotikëve që kryhej me avion nga një grup shqiptarësh, të cilët zotëronin edhe plantacione kanabisi në Shqipëri, në zonën e Lumit të Vlorës.

Pas arrestimit të disa shpërndarësve, policia italiane arriti në konkluzionin se lënda narkotike i përkiste të njëjtit lloj dhe ishte trafikuar në vendin fqinj nga të njëjtët persona. Ata u identifikuan si pjesëtarë të familjeve Ahmetaj dhe Lamaj, të cilat konsiderohen si bosët e hashashit dhe kokainës nga autoritetet italiane.

“Nga muaji mars 2015 e në vijim janë bërë disa arrestime të shpërndarësve në zonën e Riminit, nga ku ka rezultuar se droga e sekuestruar i përkiste së njëjtës sasi malli”, – thonë autoritetet italiane. Pas identifikimit të trafikantëve, policia italiane nisi të mbledhë informacione për grupin kriminal, pjesë e të cilit janë anëtarë të familjeve Ahmetaj dhe Lamaj nga Vlora.

Ata kryenin trafik hashashi dhe kokaine, pasi në disa operacione të policisë italiane janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kanabisi dhe në një rast 15 kilogram kokainë që ishte blerë tek shtetasit Elizer dhe Xhesjan Ahmetaj. Gjatë hetimeve autoritetet italiane mësuan se familja Lamaj ka në pronësi një avion të vogël, prodhim ukrainas model “Aeropakt A22S”, i cili përdoret për trafik narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë.

Ky avion do të transportonte 120 deri në 140 kilogram marijuanë në datën 24 gush. Por dyshimet e policisë italiane shkonin më tej, pasi informacionet e mbledhura prej tyre tregonin se dy familjet po organizonin një linjë trafiku të marijuanës drejt Italisë. Avioni drejtohej nga shtetasi Vilson Lamaj, i cili kishte mundur ta blinte atë për 50 mijë euro në një komunë pran Bolonjës. Lamaj ishte pajisur me patentë për pilotimin e këtij avioni në një njësi trajnimi po pranë qytetit të Bolonjës, të quajtur “Aeroclub”.

Por duke qenë në dijeni të transportimit të ngarkesës së radhës, policia italiane i ka vendosur një GPS avionit që do të nisej drejt Shqipërisë në orët e para të mëngjesit të datës 24 gusht. Rreth orës 05:40 të mëngjesit, avioni “Aeropakt A22S” është nisur nga “Aero Club” në Ostuni Puglia dhe është ulur në afërsi të fshatit Xhelilaj Vlorë, në një pistë të sajuar. Ulja është regjistruar në orën 07:02 të mëngjesit dhe pasi është ngarkuar me lëndën narkotike, avioni është nisur drejt Italisë në orën 07:12 të mëngjesit.

Avioni ka mbërritur në vendin e nisjes në Ostuni, ku priste një shtetas napolitan me furgon për të transportuar lëndën narkotike, e cila ishte e vendosur në 3 çanta me peshë totale 128 kilogram kanabis. Avioni drejtohej nga 26-vjeçari shqiptar Vilson Lamaj, i cili së bashku me Sokol Lamajn, që kishte ndryshuar mbiemër, konsiderohen si krerët e grupit të trafikantëve që përbëhej nga 14 persona.

Sipas autoriteteve italiane, familja Lamaj, përveç plantacioneve të dyshuara të kanabisit në zonën e Vlorës disponojnë edhe një sipërfaqe toke në komunën Veruchio në Rimini, ku kanë kultivuar dhe aty bimë narkotike. Lënda narkotike e trafikuar nga grupi i shqiptarëve shpesh ka qenë në fokus të operacioneve të policisë italiane, e cila në kohë të ndryshme ka sekuestruar sasi të konsiderueshme marijuane dhe kokaine.

Që prej fundit të muajit mars deri më 29 prill policia italiane ka sekuestruar disa ngarkesa me lëndë narkotike, ku më e rëndësishme mbetet sasia prej 15 kilogramësh kokainë, e cila iu kap një shtetasi italian, që e kishte blerë lëndën narkotike te vëllezërit Elizer dhe Xhesjan Ahmetaj.

Operacionet e policisë italiane

Më 26.03.2015 është transportuar marijuanë me automjetin “BMW X5” me targa shqiptare, për llogari të Sokol Lamajt, i arrestuar më parë për posedimin e 500 kg marijuanë.

Më datë 27.03.2015 policia italiane arreston shtetasin shqiptar D.B., i cili kishte rolin e korrierit. Ai u kap me 51 kg marijuanë në automjetin e tij në zonën e Gatteo.

Ma datë 04.04.2015 policia sekuestron sasinë prej 4 kg marijuanë, e cila ishte fshehur në një automjet të regjistruar në emrin e Elizer Ahmetajt. Lënda narkotike ishte e njëjtë.

Më datë 11.04.2015 policia italiane arrestoi një shtetas italian me 500 gr marijuanë, të cilën rezultoi se e kishte marrë më parë te shtetasi shqiptar Elizer Ahmetaj.

Më datë 13.04.2015 u sekuestruan 9 kg marijuanë dhe një jelek antiplumb në afërsi të një banese në përdorim nga shtetasit shqiptarë Elizer dhe Arshi Ahmetaj.

Më datë 29.04.2015 policia italiane arrestoi një shtetas italian me 15.2 kg kokainë në makinë. Lënda narkotike rezultoi se ishte marrë te vëllezërit shqiptarë Elizer dhe Xhesjan Ahmetaj.

Kush janë dy drejtuesit e rrjetit të trafikut të drogës me Italinë

Vilson dhe Sokol Lamaj, dy shqiptarët e arrestuar si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali, konsiderohen nga hetuesit italianë si krerët e grupit të trafikantëve. Vilsoni i cili ishte edhe piloti i avionit, sipas hetimeve të deritanishme kujdesej për transportin dhe shpërndarjen e marijuanës në Itali.

Ai siguronte farën që mbillej në Shqipëri, ndërsa kryente pagesat për personat e përfshirë në rrjetin e narkotrafikut. Ai kishte siguruar një patentë për pilotimin e avionëve të vegjël dhe pak kohë më parë kishte blerë një avion tip “Aeropakt A22S” prodhim ukrainas për 50 mijë euro.

E teksa Vilsoni kujdesej për transportin dhe shpërndarjen në Itali, në Shqipëri ishte i afërmi i tij, Sokol Lamaj, personi përgjegjës për kultivimin dhe sigurimin e lëndës narkotike. Ai konsiderohet si një nga dy krerët e organizatës kriminale që trafikoi 120 kg drogë nga Vlora drejt Brindizit nga ajri me avion.

Sokol Lamaj është një emër i njohur në trafikun e narkotikëve për policinë italiane. Lamaj rezulton të jetë arrestuar për posedim narkotikësh në vitin 2009 në Itali, ku gjatë një operacioni atij i janë sekuestruar 1 kg marijuanë, të cilën e kishte fshehur në kuzhinën e banesës së tij.

Gjatë arrestimit asokohe së bashku Sokolin është ndaluar dhe bashkëjetuesja e tij shtetasja rumune, Violeta Tudorita, si dhe u është sekuestruar një automjet luksoz “Audi A8”. Pas problemeve me drejtësinë italiane Lamaj është kthyer në Shqipëri, ku rezulton të ketë ndryshuar mbiemrin në Burhamaj.

Sipas raporteve të policisë italiane, rezulton se Lajamt i është sekuestruar edhe një sasi prej 500 kilogramësh kanabis, e cila rezultoi të ishte e njëjtë me atë që u kap më pas tek shpërndarësit e vegjël të rrjetit të narkotrafikut. Pas hetimeve të kryera nga autoritetet italiane, u përcoll në Shqipëri informacioni dhe dosja përkatëse ndaj të dyshuarve. Sokol Lamaj së bashku me 5 personat e tjerë u arrestuan në Shqipëri, mes tyre dhe efektivi i policisë së Vlorës, Vladimir Zanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat