Skandali në jetimore, Klosi: Kontroll të stafit në rang vendi

Shqipëria

Skandali në jetimore, Klosi: Kontroll të stafit në rang vendi

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 11:04

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë reagon mbi videon e keqtrajtimit të të miturve, në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër. Pas publikimit të videove, kjo ministri nisi një grup ekspertësh për të bërë vlerësimin lidhur me situatë të fëmijëve në Jetimoren e Shkodrës.

Lidhur me tre punonjësit e përfshirë në ngjarje, ministria urdhëroi shkarkimin e tyre, ndërkohë që bëri edhe kallëzim penal me motivin e ‘ushtrimit të dhunës ndaj fëmijës’ dhe ‘neglizhimit të detyrës’.

Ministria e Mirëqenies thekson se, vlerësimi për situatën e fëmijëve që ndodhen në jetimore, do të nisë në të gjithë vendin.

Deklarata e Ministrisë së Mirëqenies Sociale:

Pas publikimit në disa portale online të një video, ku tregohej se si një punonjëse e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër ushtronte dhunë pikërisht ndaj fëmijëve, për të cilët kjo punonjëse paguhet për t’u kujdesur, Shërbimi Social Shtetëror mori vendimin për të shkarkuar menjëherë nga detyra punonjësit e përfshirë në këtë ngjarje të turpshme dhe për t’i kallëzuar ata penalisht me motivin e ‘ushtrimit të dhunës ndaj fëmijës’ dhe ‘neglizhimit të detyrës’.

Ditën e sotme, është nisur drejt Shtëpisë së Fëmijës Shkodër një grup i specializuar ekspertësh psikologë dhe punonjësish socialë, të cilët do të bëjnë një vlerësim më të plotë të situatës, jo vetëm për fëmijët e dhunuar, por edhe tek fëmijët e tjerë të qendrës.

Ministri i Mirëqenies Sociale ka urdhëruar ditën e sotme Shërbimin Social Shtetëror për të kontrolluar dhe vlerësuar menjëherë të gjithë stafin që përkujdeset për fëmijët në Shtëpitë e Fëmijës në rang republike, pavarësisht asistencës sistematike që është dhënë në këtë drejtim nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj përgjatë dy viteve të fundit.

Ministri Klosi i kërkon organeve hetimore zbardhjen e menjëhershme të këtij akti skandaloz dhe organeve gjyqësore dënimin më shembullor të përgjegjësve, për këtë akt të neveritshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat