Bazhdari: Shkodranët s’janë gati të udhëhiqen nga elita

Shqipëria

Bazhdari: Shkodranët s’janë gati të udhëhiqen nga elita

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 10:15

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, në një letër të hedhur në FB, shpreh dëshpërimin e saj për humbjen e zgjedhjeve.

Ajo thotë se e dinte se çfarë e priste, por hyri në fushatë.

“Sot ndoshta duhet të ndjehem fajtore që s’ia dola, që dija shumëçka dhe s’e thashë, që besova tek perceptimi i më të mirës së shoqërisë. E dija që do rëndonin mbi kurrizin tonë dhe nga varfëria e këtij populli disa reforma të forta, aq shumë të nevojshme për t’i ardhur era shtet Shqipërisë, e megjithatë e ndërmora hapin e bindur në mirëkuptimin e gjithsecilit që ëndërron të jetë pjesë e Europës së shpejti”.

Bazhdari ka edhe disa kritika për strukturat e partisë.

“E dija që strukturat e forcës sime politike nuk ishin në mood-in e tyre më të lartë, por realisht besova se projekti ynë ishte një inspirim shumë herë më i madh që i tejkalonte pakënaqësitë personale, ndaj s’fola. E dija që enveristët e fundit të kamofluar, zhugatur me blu, do na vërsuleshin si të ishim armiqtë e klasës dhe jo alternativa tjetër me ide e potenciale për ta zhvilluar Shkodrën”.

Ajo ka kritika edhe për shoqërinë shkodrane.

“Shoqëria shkodrane rezultoi që s’është ende e gatshme të udhëhiqet nga opinioni publik i formësuar në gjirin e elitave që përfaqësojnë vetë atë, siç ndodh në çdo vend të botës”.

“Megjithatë edhe pse më vjen keq pa fund dhe ndjej dhembje në shpirt që s’ia dolëm ta zhbëjmë totalisht këtë realitet të errët, nëse ndonjë kritik do më pyeste se si do veproja po të mund t’i ktheja gjërat nga fillimi, do i thoja ekzaktësisht njëlloj dhe më mirë. Një e keqe kaq e madhe shmanget aq sa mund të shmanget vetëm me shpërfillje, duke mos e lejuar të të ulë nivelin e vet apo të bëjë pjesë të saj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat