“Business Insider” rendit Beratin në 16 destinacionet turistike për 2015

Shqipëria

“Business Insider” rendit Beratin në 16 destinacionet turistike për 2015

Më: 29 maj 2015 Në ora: 11:38

Shqipëria vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vëmendjen mediave ndërkombëtare për atraksionet e saj turistike.

Së fundi është revista amerikane e biznesit dhe financave “Business Insider”, ajo që në një shkrim të saj të fundit vlerëson qytetin e Beratit si një ndër më tërheqësit në Europë.

"Një nga 16 destinacionet turistike më të nënvlerësuara, por njëkohësisht edhe më tërheqëse të Europës në vitin 2015", shkruan ajo.

“Dikur në kufij të Perandorisë Bizantine, qyteti i Beratit ka një kala dhe një kishë bizantine, e cila daton në shekullin e 13-të”, shkruan revista online, duke e ilustruar vlerësimin me foton nga qyteti 2 mijë e 500 vjeçar.

Qyteti i vjetër- vijon revista - është pjesë e listës së UNESCO-s për trashëgiminë botërore, një arsye më tepër që e bën atë një destinacion të jashtëzakonshëm turistik.

Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

Ndërkohë së bashku me qytetin muze të Shqipërisë, revista ka renditur në listë dhe 15 vende të tjera tursitike, që sipas saj, nuk duhen lënë pa u vizituar. Mes tyre ishujt Azore në Portugali, qytetin Bakark në Gjermani, Alpet Juliane të Sllovenisë dhe atraksione të tjera nga Suedia apo Rusia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat