Rregullorja e re e burgjeve, ja si marrin leje të burgosurit

Shqipëria

Rregullorja e re e burgjeve, ja si marrin leje të burgosurit

Më: 27 maj 2015 Në ora: 20:28

Lejet shpërblyese

Të dënuarit, të cilët respektojnë rregullat e disiplinës dhe rregulloren e brendshme të institucionit dhe janë të motivuar për të marrë pjesë në programet rehabilituese e të riintegrimit apo nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, kanë të drejtë të marrin leje shpërblyese, deri në 20 ditë në vit.
Planifikimi i lejeve shpërblyese bëhet sipas një grafiku të përcaktuar në fillim të vitit dhe nuk mund të zgjatë më shumë se 7 ditë.
Brenda 7 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për leje shpërblyese, drejtori i IEVP-së
vendos miratimin ose jo të saj, duke u bazuar në planifikimin vjetor dhe raportet e vlerësimit të përgjegjësve të sektorit të sigurisë, sektorit të çështjeve shoqërore dhe sektorit ligjor. Në raportet e vlerësimit përfshihen respektimi i kërkesave ligjore, vlerësimi i sjelljes të të dënuarit, vlerësimi i riskut, pjesëmarrja e tij në programe rehabilituese dhe riintegruese ose në programe të tjera brenda institucionit, besueshmëria që paraqet i dënuari për kthimin e tij në institucion, ekzistenca ose jo e masave disiplinore, marrëdhënia me familjen, si dhe çdo aspekt tjetër që ka të bëjë me profilin e të dënuarit. Për miratimin e lejes duhet vlerësimi pozitiv i të gjithë sektorëve.

Në çdo rast, duhet të kenë kaluar të paktën 3 muaj nga miratimi i lejes shpërblyese të fundit.
Leja shpërblyese u jepet:
a) personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;
b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e
dënimit;

c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi t’u ketë mbetur për të vuajtur më pak se 5 vjet heqje lirie.
Në rast refuzimi të dhënies së lejes, i dënuari ose përfaqësuesi i tij ligjor ka të drejtë të bëjë ankim brenda 5 ditëve pranë drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve ose ministrit të Drejtësisë, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe më pas ka të drejtë të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për leje.
Procedurat e dhënies së lejeve përcaktohen me udhëzim të ministrit të Drejtësisë.
Lejet shpërblyese për të dënuarit në seksionet e sigurisë së lartë

Lejet shpërblyese për të dënuarit, që kryejnë dënimin në seksionet e sigurisë së lartë, jepen
vetëm me urdhër të ministrit të Drejtësisë apo me autorizim të ministrit të Drejtësisë nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

Ministri i Drejtësisë dhe drejtori i Përgjithshëm, me marrjen e kërkesës nga i dënuari,
i kërkojnë drejtorit të IEVP-së të përgatitë informacionin përkatës.

Në rast refuzimi, brenda 5 ditëve, i dënuari mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për
kërkesën për dhënien e lejes shpërblyese.

Lejet e veçanta

Drejtori i IEVP-së është personi përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës të të paraburgosurit apo të të dënuarit për leje të veçantë sipas procedurës së mëposhtme:

a) Kërkesa e të paraburgosurit apo e të dënuarit duhet të jetë e argumentuar dhe e shoqëruar nga dokumentacioni përkatës. Në raste sëmundjesh të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes të të paraburgosurit apo të të dënuarit, kërkesa duhet të shoqërohet me raportin mjekësor të familjarit të sëmurë ku vërtetohet gjendja e rëndë shëndetësore e tij. Në rastet e ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje apo martesa, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentin zyrtar që provon vdekjen, lindjen apo martesën. Me anëtarë të familjes të të paraburgosurit apo të të dënuarit nënkuptohen nëna, babai, fëmijët, motra, vëllai, bashkëshorti/ja ose, në rastet kur martohet vetë, si dhe në rastet e dhënies së provimeve nga ana e tij.
b)Pas marrjes së kërkesës dhe dokumentacionit përkatës nga i paraburgosuri apo i dënuari, drejtori i IEVP-së urdhëron, brenda ditës së marrjes së kërkesës, përgjegjësin e sektorit ligjor, përgjegjësin e sektorit të sigurisë dhe përgjegjësin e sektorit të shërbimit social për shqyrtimin dhe përgatitjen e dokumentacionit që do të shërbejë si bazë e miratimit apo refuzimit të lejes së veçantë.

c) Lidhur me lejet e veçanta për arsye shëndetësore të anëtarëve të familjes të të paraburgosurit apo të të dënuarit, dokumenti mjekësor që shoqëron kërkesën për leje të veçantë vlerësohet edhe nga përgjegjësi i sektorit të shëndetësisë në IEVP ose në mungesë të tij nga mjeku i institucionit, i cili bën akt verifikimin e epikrizës mjekësore duke kontrolluar të gjitha elementet që provojnë vërtetësinë e saj, shprehet me shkrim për shkallën e rrezikshmërisë së sëmundjes së anëtarit të familjes të të burgosurit, kontrollon nëpërmjet komunikimit telefonik me qendrën spitalore, ku është shtruar i sëmuri ose me mjekët që kanë nënshkruar epikrizën. Aktverifikimi i mjekut dhe mendimi me shkrim i tij i bashkëlidhen raportit të përbashkët të tre sektorëve të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni.
ç) Përgjegjësi i sektorit të sigurisë dhe përgjegjësi i shërbimit social përgatitin, brenda ditës nga data e marrjes së urdhrit, një raport të përbashkët, të hollësishëm, i cili shpjegon dhe dokumenton lidhjen e ngushtë familjare të të paraburgosurit apo të të dënuarit me personin e sëmurë rëndë, të vdekur, të lindur ose të martuar, kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit, lejet e kryera më parë, respektimin e rregullores së brendshme të IEVP-së, rrezikshmërinë dhe besueshmërinë që paraqet i paraburgosuri apo i dënuari, përmes qëndrimit të tij jashtë institucionit, pjesëmarrjen në programe rehabilituese, që zhvillohen në institucion, çdo të dhënë tjetër që ka të bëjë me të paraburgosurin apo të dënuarin, si dhe propozimin e argumentuar të miratimit apo të refuzimit të lejes së veçantë dhe të ditëve që duhet të marrë i paraburgosuri apo i dënuari, si leje e veçantë.

d) Raporti, propozimi dhe dokumentacioni i paraqiten brenda ditës drejtorit të IEVP-së, i cili e shqyrton dhe jep miratimin apo refuzimin e motivuar të lejes së veçantë.
dh) Leja e veçantë mund të miratohet nga drejtori i IEVP-së, vetëm pasi të ketë marrë mendimin pozitiv të tre sektorëve, hartues të raportit, në favor të miratimit të saj nga përgjegjësi i sektorit ligjor, përgjegjësi i sektorit të sigurisë dhe përgjegjësi i shërbimit social.
Drejtori i IEVP-së që jep lejen duhet të përcaktojë mënyrën, kushtet, mjetet e shoqërimit të
të dënuarit, me forca të policisë së burgjeve dhe numrin e tyre. Leja e veçantë për të dënuarit jepet me kohëzgjatje deri në 48 orë dhe bëhet me shoqërim vetëm gjatë ditës.

Leja e veçantë mund të zgjatet me kërkesë të të dënuarit edhe 24 orë të tjera me miratimin e drejtorit të IEVP-së, vetëm për rastet e sëmundjeve të rënda, kundrejt dokumentacionit ligjor të paraqitur në institucion.
Lejet e veçanta për të paraburgosurit jepen sipas kërkesave të këtij neni, me miratimin e
prokurorit dhe me shoqërim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat