Fushë-Krujë, 500 vende të reja pune në bujqësi

Shqipëria

Fushë-Krujë, 500 vende të reja pune në bujqësi

Më: 30 mars 2015 Në ora: 16:34

Kryetari i Kuvendit mori pjesë sot në mbjelljen e fidanëve të rinj të kompanisë “Besa Agro Invest”, në Fushë-Krujë, një fermë moderne e cila e zhvillon aktivitetin saj në fushën e bujqësisë. Metau njoh më nga afër me procesin e mbjelljes së fidanëve të rinj dhe me kushtet e punës, ku në të ardhmen numri i të punësuarve do të shkojë në 500.

Në fjalën e tij, Meta tha se investime të tilla krijojnë kushte për punësim në kushte shumë të mira, duke krijuar të ardhura të qëndrueshme dhe të përhershme për familjet e banorëve të zonës.

“Aktualisht janë futur 50 banorë të zonës në punë, ndërkohë që deri në fund të këtij gjashtëmujori pritet të hyjnë në punë edhe 200 të tjerë dhe në fund të këtij investimi do të futen në punë edhe 500 banorë të kësaj zone që do të punësohen në kushte shumë të mira, duke krijuar të ardhura të qëndrueshme dhe të përhershme për familjet e tyre”, theksoi Meta.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit theksoi se është shumë e rëndësishme që shumë investitorë të tjerë, të cilët në mënyrë të veçantë janë marrë më ndërtimin, të orientohen më shpejt nga bujqësia, sepse kthyeshmëria e investimit është shumë e shpejtë.

“Ne do të mbështesim akoma më shumë sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit. Paketa e cila u miratua dhe që tashmë ka hyrë në fuqi duhet shpjeguar akoma më mirë të gjithë prodhuesve, të gjithë fermerëve, të gjithë investitorëve në këtë fushë. Duhet shfrytëzuar akoma më mirë dhe jam i bindur që me këtë mënyrë ne do t’i japim një hov të shpejtë cilësor bujqësisë dhe ajo që po ndodh këtu po ndodh edhe në shumë aktivitetet të tjera anembanë vendit, pasi të gjithë jemi të bindur, jemi të ndërgjegjësuar se vetëm puna, prodhimi dhe standardet më të larta do të bëjnë të mundur që djersa dhe mundi i shqiptarëve të kurorëzohet me sukses dhe të jetë një burim i qëndrueshëm dhe i përhershëm i rritjes së të ardhurave të tyre personale dhe familjare”, deklaroi në prononcimin e tij për median, Meta.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti tha se Fondacioni “Besa” tashmë ka filluar në shkalla të gjerë të materializojë një investim i cili do të shkojë në një vlerë totale prej 20 milionë eurosh dhe me një sipërfaqe prej 80 hektarësh. “Praktikisht ambicia është shumë e madhe për të krijuar një tipologji prodhimi që ndërthur në vetvete pemishte, frutikulturën, zhvillimin e blegtorisë dhe serat. Aktualisht ka filluar puna në një investim që shkon në rreth 1 milionë euro dhe në këto momente 50 vetë janë të punuar, por ambicia është që në përfundim të këtij investimi, në krye të pesë viteve punësimi të shkojë në 500 veta”, theksoi Panariti, duke shtuar se ky investim shumë i rëndësishëm shënon një epokë të re për bujqësinë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat