“‘Dëgjo këtu biri im’ nuk e shpëton Kokëdhimën”

Shqipëria

“‘Dëgjo këtu biri im’ nuk e shpëton Kokëdhimën”

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 22:42

Partia Demokratike është e bindur se ka të drejtë në kërkesën e saj për përfundimin e mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima.

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, tha se Kokëdhima ka shkelur Kushtetutën kur ka përfituar 150 herë fonde publike.

“Në datën 10 shtator të vitit 2013, është ngritur në këmbë pasi i është thirrur emrin, dhe ka thënë “Betohem”! Nga ky moment çdo “kontratë” e mëparëshme duhej të ishte bërë nul!

I njëjti individ del sot dhe thotë se kontratat e ndërmarrjes së tij qenkan më të rëndësishme se Kushtetuta dhe ligji, prevalokan mbi Kushtetutën dhe ligjin, dhe argumenti i vetëm që ka për këtë duket të jetë “zotësia e avokatëve të tij”.

Kjo është një rrëfenjë për “dëgjo këtu biri im”, por qesharake dhe aspak serioze për një ligjvënës. Koço Kokëdhima, që prej ditës që është mandatuar si deputet duhej të kishte hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë private. Pra Kushtetuta e detyronte të mos përfitonte më asnjë qindarkë,” tha Strazimiri.

Më herët gjatë një konference për shtyp, Kokëdhima kishte deklaruar se nuk e ka shkelur ligjin, pasi i ka shitur aksionet e kompanisë para se të betohej si deputet.

Gjatë kësaj konference, ai foli edhe për legalizimin e kanabisit, por tha se nuk e ka provuar kurrë vetë.

Deputeti sqaroi dy arsyet kryesore përse e mbështet legalizimin e kanabisit mjekësor. Arsyeja e parë ka të bëjë me ata pacientë që kanë nevojë për trajtimin e sëmundjeve, përmes medikamenteve që burojnë nga kanabisi. E dyta ka të bëjë me zhvillimin e ekonomisë shqiptare, progresi i së cilës do të ndihet me zhvillimin e një industrie farmaceutike që bazohet te kanabisi.

“Së pari, për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtimin e sëmundjeve përmes medikamenteve që burojnë nga marijuana. Janë shumë sëmundje që mjekohen nga marijuana, dhjetëra mijë që kanë nevojë të marrin këto trajtime mjekësore”.

“Së dyti, unë e promovoj një projekt të tillë për eksportet, sepse është një industri farmaceutike në botë që bazohet të kanabisi sativa, është një shans për Shqipërinë, një shans për ekonominë e vendit. Është i shpejtë progresi i kanabisit, ka ekonomi qindra miliardash që zhvillohet sot në botë. Është një ftesë që ne të shfrytëzojmë mundësinë”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat