Axhenda e Kuvendit, votohen sot 2 dekretet e Nishanit

Shqipëria

Axhenda e Kuvendit, votohen sot 2 dekretet e Nishanit

Më: 29 janar 2015 Në ora: 10:05

Kuvendi do të votojë në seancën e sotme parlamentare dy dekretet e presidentit Bujar Nishani të cilat kthyen për rishqyrtim, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë por dhe ligjin e miratuar nga mazhoranca për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Të dyja këto dekrete janë rrëzuar në komisionet parlamentare nga mazhoranca edhe pse opozita është shprehur pro tyre.

Dekreti i presidentit për të ridiskutuar ndryshimet në ligjin e Gjykatës së Lartë, u debatua gjatë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku opozita akuzoi mazhorancën se po prish marrëveshjen e vendosur në 24 dhjetor mes palëve. Sipas demokratëve ky ligj është një gur themeli i reformës në drejtësi ndaj duhet të jetë pjesë e këtij diskutimi. Por për mazhorancën drafti i miratuar më herët në seancë sjell vetëm ndryshime në ligjin e Gjykatës së Lartë dhe nuk e reformon atë.

Duke i konsideruar si të pabaza dhe argumentet e kreut të shtetit, deputetët socialistë dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim votuan kundër dekretit. Në axhendën e sotme të seancës plenare është dhe votimi i tre emrave të rinj si anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Bibës, Edlira Jorgaqit si propozime të PS-së, dhe vendi i tretë pritet të plotësohet nga Gëzim Veleshnja edhe pse Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur edhe një kandidaturë të dytë, atë të Arben Shkëmbit.

Në seancë plenare pritet të votohet sot dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen në Programin e Unionit “FISCALIS 2020”; Aktin Normativ nr. 2, datë 29.12.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”të ndryshuar si dhe propozimet e Këshillit të Ministrave për katër anëtarë të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat