Buxheti 2015, si ndahen paratë për pensionet, sigurimet

Shqipëria

Buxheti 2015, si ndahen paratë për pensionet, sigurimet

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 10:40

Të ardhurat e vitit 2015, parashikohen të jenë më të larta, sipas parashikimeve të projekt buxhetit të ri që pritet të paraqitet në parlament të hënën e javës që vjen. Sipas parashikimeve në raport me prodhimin e përgjithshëm bruto (PBB), është parashikuar që të ardhurat të rritet në 27.5 për qind, nga 26 për qind që ka qenë pritshmëria për vitin 2014. Po ashtu pritet që edhe financimet dhe shpenzimet buxhetore të kenë një rritje të lehtë, nga 31.2 për qind e prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2014, në 31.5 për qind për vitin e ardhshëm. Pritet që rritja e lartë e të ardhurave do t’iu mundësojë financave të ulin deficitin buxhetor në 4 për qind të PBB-së, nga 5.2 për qind që pritet të mbyllet viti aktual. Në deklarimet e bëra nën zë, borxhi publik pritet të mbahet në pothuajse të njëjtat nivele. Edhe 2015-ta pritet të jetë në nivelin e 70.6 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërkohë që për vitin që po mbyllim është 70.9 për qind. Sipas deklarimeve nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në takimet me biznesin, projektbuxheti i vitit 2015 bën të mundur mbajtjen e një niveli prej 5.0 përqindësh të investimeve publike. Këto investime priten të fokusohen në fushën e ujit të pijshëm, energjisë, inovacionit dhe teknologjisë së informacionit, turizmit dhe infrastrukturës rrugore qendrore e vendore. Për vitin 2015 gjithashtu do vazhdohet me reformat strukturore në fushën e pensioneve, energjisë, ndarjes administrative dhe territoriale dhe tregut të punës.

Taksat

Drafti përfundimtar për paketën fiskale 2015, sipas të dhënave paraprake, viti i ardhshëm nuk do të jetë po kaq i lehtë sa ky vit që po lëmë pas. Parashikohet 2015- ta të ketë një sistem të ri taksash. Burimet në Ministrinë e Financave, thanë se është duke u diskutuar dhe parashikohet që të rritet tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi për fitimin nga interesi i depozitave dhe po ashtu do të rritet edhe taksa e qarkullimit të automjeteve. Ndërkaq pritet të rritet me pesë për qind edhe taksa e depozitave bankare e cila nga 10 për qind të fitimit, pritet të arrijë në 15 për qind. Ministria e Financave dhe institucionet e varësisë po diskutojnë variantin që të rrisin me 10 lek për litër taksën e qarkullimit për ben-zinën dhe naftën. Heqja e fashës së energjisë elektrike pritet të sjellë edhe rritjen e çmimit të energjisë ndërsa qeveria ka parashikuar që për shtresat në nevojë të rrisë pagesat e pensioneve të paaftësisë si dhe të ndihmës ekonomike. Sipas të dhënave paraprake, efekti financiar i paketës fiskale në buxhetin e shtetit pritet të jetë 10 miliardë lekë. Rekomandimet e mësipërme janë bërë për qeverinë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që buxheti të sigurojë më shumë të ardhura. Pritej që përfaqësuesit e FMN-së të ishin të pranishëm në muajin tetor për të nënshkruar edhe këstin e borxhit të radhës, duke bërë që lëvrimi i këstit të shtyhet për një afat të pacaktuar.

Sigurimet shoqërore

Për gjatë gjithë vitit është diskutuar për të realizuar reformën në administrimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe të politikave të kontributeve dhe pensioneve në veçanti. Ky sektor vazhdon të përfitojë një pjesë të madhe të fondeve publike. Sipas të dhënave të paraprake të buxhetit të vitit të ardhshëm, ky zë pritet të përfitojë rreth 106 miliardë lekë ose 7.1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Veprimtaria ekonomiko- financiare e ISSH-së mbështetet mbi një buxhet të konsiderueshëm nga financimet buxhetore me destinacion që mbulojnë programe të veçanta sociale të qeverisë. Për këtë vit buxheti për sigurimet shoqërore si të ardhura totale kapin vlerën e 88.8 miliardë lekë. Prej tyre, 51.4 miliardë lekë vijnë nga kontributet dhe 37,5 miliardë lekë janë transferimet nga Buxheti i Shtetit, që shpërndahet për pensionistët. Ky deficit që rritet nga viti në vit për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve, po “gërryen” buxhetin duke e bërë emergjente reformën, që do fillojë nga një rritje e lehtë e moshës së pensionit deri në reformimin total të skemës, duke përfshirë shtyllën e dytë dhe atë të tretë. Por pikat ku duhet të synojë reforma e pensioneve është zvogëlimi i deficitit, që aktualisht rëndon buxhetin e shtetit dhe nxitja e qytetarëve për të bërë pjesë në skemën e kontributeve. Referuar këtij drafti, treguesit fiskalë të buxhetit të shtetit për vitin 2015 rezultojnë të jenë, të ardhurat 410.9 miliardë lekë, shpenzimet 469.9 miliardë lekë dhe deficiti 59 miliardë lekë.

Niveli i borxhit, pritshmëritë për 2015-ën

Niveli i borxhit publik për periudhën 9 mujore llogaritet në vlerën e 960 miliardë lekë, ose 67.76 për qind e PBBsë. Shifrat e publikuara nga Ministria e Financave, tregojnë se, në këtë vlerë të borxhit publik nuk janë përfshirë detyrimet e prapambetura që qeveria i ka biznesit. Po sipas këtyre statistikave, stoku i borxhit shtetëror vlerësohet të arrijë 910 miliardë lekë, ndërsa stoku i borxhit të garantuar në 50.7 miliardë lekë. Referuar kësaj periudhe, borxhi i brendshëm llogaritet të jetë 554 miliardë lekë, ndërsa borxhi i jashtëm ishte 405.8 miliardë lekë. Sipas dokumentit të kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2015-2017, të miratuar nga qeveria, borxhi publik do të vijëduke u ulur nga viti në vit. Sipas këtyre të dhënave, pas një rritje në fund të vitit 2014, në vitin 2015 do të fillojë dhe ulja e nivelit të borxhit publik në 71.7 për qind, në vitin 2016 është parashikuar në 69.2 për qind dhe në vitin 2017 në nivelin 65.6 për qind e PBB. Borxhi publik ka ardhur në rritje nga viti në vit, aq sa dy vjet më parë u hoq me ligj edhe tavani prej 60 për qind. Financat publike gjatë viteve të fundit janë gjendur përballë disa vështirësive, ku qeverisë i është dashur të rrisë borxhin për të financuar ekonominë. Ndërkaq të dhënat tregojnë se situata e tregjeve evropiane vazhdon të mos jetë e favorshme dhe besueshmëria e ekonomisë sonë është ende mjaft e ulët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat