"Bashkohen" deputetët shqiptarë: Shqipëria meriton tri pikëshin

Shqipëria

"Bashkohen" deputetët shqiptarë: Shqipëria meriton tri pikëshin

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 08:34

Komisioni i UEFA-s pritet që të marrë sot disa vendime në lidhje me skandalin e ndodhur në datën 14 tetor në Beograd, në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Europianit “Francë 2016”. Faktet flasin qartë për sa u përket koreve raciste ndaj shqiptarëve, numri i madh i banderolave raciste dhe politike, si edhe dhuna e ushtruar ndaj futbollistëve serbë, por sërish hipotezat rreth dënimeve janë të shumta. Shtypi i huaj ditët e fundit ka shkruar se ndoshta Shqipëria merr tri pikët në tavolinë dhe Serbia përjashtohet nga kompeticioni. Një hipotezë tjetër është ajo e dënimeve më të buta për të dy ekipet dhe ndeshja të riluhet në një fushë asnjëanëse. Ndërsa spanjollët e “El Mundo Deportivo” ngrenë hipotezën se Shqipëria mund të humbasë ndeshjen dhe Serbia mund të përjashtohet nga eliminatoret. Deputetët e Partisë Socialiste Xhemal Qefalia dhe Ervin Bushati, deputeti i PD-së Aldo Bumçi si edhe ishdeputeti Petro Koçi shprehen se faktet flasin qartë se Shqipëria duhet të marrë tri pikët në tavolinë.

Duke marrë parasysh faktet e dorëzuara në UEFA mendoni se Shqipëria ka shanse të marrë tri pikët në tavolinë?

Xhemal Qefalia

Natyrisht që të gjithë shqiptarët e kanë mendjen tek ajo se çfarë do të vendosë komisioni i UEFA-s. Mendimi im personal është se Shqipëria i meriton t’i marrë tri pikët. Shpresoj që UEFA dhe komisioni i saj më së fundi të çlirohen nga lotimet që po bëhen në “kurriz” të Shqipërisë. Përveç atyre që ne pamë në stadium, asaj çka vërtet ndodhi kemi edhe deklaratat nga futbollistët më të mëdhenj botërorë si Ronaldo, Mesi, Ibrahimoviç dhe shumë të tjerë të cilët e duan dhe jetojnë me futbollin, futbollistë që e panë se çfarë ndodhi dhe i dënuan ato akte në Beograd. Faktet janë publike dhe ajo çfarë kërkojmë nga komisionerët e UEFA-s është që të vendoset në vend dinjiteti i futbollit. Kjo jo vetëm që Shqipëria të marrë tri pikët e merituara por në vazhdimësi të ketë mbarë vajtje në të gjitha kompeticionet e UEFA-s.

Ervin Bushati

Nuk di se çfarë do të vendosi UEFA nesër (sot), por le të shpresojmë që vendimi të jetë në favorin tonë dhe të na akordohen tri pikët. Unë normalisht që i dënoj të gjitha aktet e dhunës të ndodhura në stadium dhe pres që të njëjtën gjë të bëjë edhe Komisioni i UEFA-s.

Aldo Bumçi

Faktet janë të shumta në favorin tonë. Çdo panel nëse do të jetë objektiv, i paanshëm, ka argumente edhe fakte të mjaftueshme për të vendosur në favorin tonë. Kjo është ajo që unë besoj dhe besojmë të gjithë si shqiptarë. Fakti më i rëndësishëm është që serbët nuk kontrollonin dot atë se çfarë ndodhte në fushë. Gjithashtu edhe thirrjet antishqiptare, janë këto dy argumente kyçe që tregojnë që organizatorët serbë kanë dështuar në mbarë vajtjen e ndeshjes.

Petro Koçi

Unë mendoj se Shqipëria meriton të marrë tri pikët dhe Serbia të dënohet. Nëse ndodh ndryshe futbolli do humbasë shumë dhe UEFA do diskreditohej.

Erjon Braçe

Me politikë nuk e bindim dot Platininë Deputeti socialist Erjon Braçë shprehet se Shqipëria dhe Federata jonë e futbollit duhet ta bindin UEFA-n dhe Platininë të na akordojë tri pikët në tavolinë. Braçë me anën e një statusi në rrjetin social “Facebook” shkruan se mënyra e vetme për të marrë tri pikët është duke “servirur” fakte dhe prova të 41 minutave lojë në Beograd. “Meqe sot nis "gjyqi" ne UEFA. Presidenti i Federatës së Futbollit nuk duhet të bëjë politikë sot në UEFA. Me politikë nuk e bindim dot Platininë, e kanë bindur prej një jete serbët. Duhet të merret tërësisht me faktet e provat e konsumuara në 41 minuta të ndeshjes së Beogradit” shkruan Braçe. Ai shprehet se me politikë nuk e bindim dot kreun e UEFA-s, Platini sepse këtë gjë mund ta bëjnë vetëm serbët. “Të gjitha, nën dritën e rregullave të lojës së futbollit dhe “fair play-t”. Asgjë më shumë se kaq!! Paqen me serbët ka kush e bën dhe ka ku bëhet!! Ne sot nga UEFA duam drejtësi. Produkti i saj janë edhe tri pikët. Nuk i duam për federatën, por i duam për shqiptarët si produkt i së drejtës. Kaq!!” –përfundon deputeti socialist Braçe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat