Të reduktojmë numrin e gjykatave, KLD-ja edhe të shkrihet

Shqipëria

Të reduktojmë numrin e gjykatave, KLD-ja edhe të shkrihet

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 09:02

Mazhoranca në pushtet ka premtuar fillimin e një reforme në Drejtësi. Por në çfarë raportesh ndodhet sistemi ynë i Drejtësisë dhe cilat janë pjesët ku duhen bërë ndryshime. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Shefqet Muçi, ishministër i Drejtësisë në vitin 1991, shprehet për nevojën që ka sistemi ynë i Drejtësisë për ndryshime. Sipas Muçit duhet të bëhet një reduktim i numrit të gjykatave pasi shpesh herë këto që janë të paqarta në rolin që luajnë. Juristi Muçi flet për “luftën” që po zhvillohet mes qeverisë dhe presidentit për KLDnë, ndërsa ai hedh poshtë pretendimet e Nishanit se qeveria synon të marrë kompetencat e KLD-së.

A ka probleme sistemi ynë i Drejtësisë?

Që sistemi ynë i Drejtësisë ka nevojë për reformë kjo është e padiskutueshme. KLD-ja ka një seri problemesh sidomos për imazhin e saj. Imazhi i drejtësisë, me apo pa të drejtë, është një imazh jo i mirë dhe kjo vjen pasi njerëzit pothuajse e kanë humbur besimin tek drejtësia. Ndonëse unë nuk bie plotësisht dakord në tërësi me imazhin që është krijuar për drejtësinë sepse në fund të fundit janë këto Gjykata dhe këta gjyqtarë që kanë punuar me një volum të madh pune për zgjidhjen e një numri të madh çështjesh, në radhë të parë në luftën kundër kriminalitetit. Po të marrësh numrin e çështjeve që janë gjykuar në raport me numrin e ankimeve nga faktorë të ndryshëm si opozita apo media ky është një numër fare i vogël. Por kjo gjë ndodh pasi për këto çështje preken interesat e individëve ose institucioneve të caktuara, ndaj kur preken interesat ka gjithmonë reagime. Natyrisht që korrupsion në drejtësi ka, madje ai është në përmasa shqetësuese ndaj ka nevojë të “luftohet”.

Në cilat pjesë të sistemit të Drejtësisë mendoni se duhet të bëhen ndërhyrje?

Në të gjitha pjesët e sistemit ka probleme, por çështja më e madhe është me gjykatat pasi aty cenohen drejtpërdrejt interesat e individit, dhe kur cenohen interesat e individit reagimi është më i madh. Nevoja për një reformë e ka detyruar mazhorancën për përgatitjen e saj. Po ta shikosh nga mënyra e strukturimit të sistemit të Drejtësisë, ne kemi Gjykatën e Shkallës së Parë, Gjykatën Civile, Gjykatën Penale, Gjykata Administrative, Gjykata e Krimeve të Rënda, Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, pra një numër kaq i madh gjykatash për një vend të vogël si i ynë nuk është e pranueshme, ndaj duhet një zvogëlim i numrit të tyre, një centralizim i pushtetit. Ekzistenca e kaq shumë gjykatave sjell konfuzion në kompetencat e tyre. Pra nga pikëpamja e ndërtimit të sistemit të drejtësisë ne kemi një nga sistemet më të mira. Pjesa e sistemit administrativ që unë gjykoj se duhet të ndërhyhet është një ristrukturim dhe jo reformë në kuptimin e plotë pasi reforma e plotë sjell përmbysje të sistemit.

Ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi nevojën e kaq shumë gjykatave. Shumë çështje të rëndësishme si vrasjet i zgjidh Gjykata Penale, ndërsa çështje të tjera, si për shembull trafiqet, i përfshin Gjykata e Krimeve të Rënda. Pra ka kontradikta të mëdha pasi jeta e njeriut është mbi të gjitha dhe në këtë rast ka një moskoordinim të kompetencave. Unë gjykoj që shteti ynë nuk ka nevojë për Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndonëse në opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar ajo ka zgjidhur çështjet më të rëndësishme dhe konsiderohet e suksesshme në opinionin tim personal ajo është një nga gjykatat më të dobëta në vendin tonë. Në fund të fundit gjykata nuk është për të dënuar njerëzit, por për të dhënë drejtësi. Por këto lloj gjykatash janë “besnike” ndaj pushtetit ndaj dhe ekzistojnë. Unë jam i mendimit që të kemi një numër sa më të reduktuar të gjykatave dhe një Gjykatë Penale është mjaftueshëm për vendin tonë. Nëpërmjet këtyre ekzistuese shpenzimet janë shumë të mëdha, ndërsa efekti i tyre është shumë i vogël. Për mua reforma më e rëndësishme që duhet të bëhet është tek njerëzit. Ne sistemin e kemi në rregull. Thjesht duhet të bëhet një reduktim i numrit të gjykatave dhe i punonjësve. të tyre. Pasi ligjin sido që ta bësh janë njerëzit ata që duhet ta zbatojnë atë. Janë gjyqtarët, prokurorët, përzgjedhja e njerëzve mjaft të aftë profesionalisht. Reforma më e madhe duhet të bëhet në legjislacion. Duhet të vendosen afate për zgjidhjen e çështjeve. Të shikohen marrëdhëniet midis avokatisë dhe prokurorisë. Duhet të shihet edhe njëherë ligji për avokatin.

Sa funksionale është KLD-ja në vendin tonë?

Për mua kështu siç funksionon KLDja është një barrë e rëndë për taksapaguesit shqiptarë. Kompetencat e KLD-së janë transferimi, emërimi, masat disiplinore dhe inspektimi i gjyqtarëve. Mendimi im personal është që KLD-ja duhet të ishte mjaftueshëm me 7 anëtarë. Presidenti i Republikës, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe 4 anëtarë të tjerë do të bënin punën që bëjnë 15 anëtarët e tanishëm dhe procesi i vendimmarrjes do të ishte më i suksesshëm. Një numër prej 15 anëtarësh që ka sot KLD-ja është mjaft i madh për një vend si i yni, është një numër i pajustifikueshëm. Një numër sa më i vogël në KLD redukton shpenzimet, por edhe ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrje, pasi sa më i madh organi duket sikur është më demokratik, por është më burokratik për shkak të mosdakortësisë. Këtu ka një paradoks pasi, për të marrë vendime më të rëndësishme siç janë jeta e njeriut, vendosin 5 gjyqtarë, ndërsa për transferimin e një gjyqtari vendosin 15 vetë. Një mendim është edhe shkrirja e plotë e KLD-së dhe emërimet t’i bëjë drejtpërdrejt Presidenti dhe të krijohet një kolegj i përbërë nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, të cilët do t’i propozojnë Presidentit dhe ai do të marrë vendimet. Për mua nuk mund të jetë në rregull KLD-ja përderisa në përbërjen e saj ka njerëz të cilët nuk kanë punuar asnjë ditë në drejtësi. KLD-ja ka probleme serioze edhe me zbatimin e ligjeve për sa i përket emërimit apo shkarkimit të gjyqtarëve, pasi shpesh herë, në kundërshtim me ligjin, janë bërë ndërrime postesh apo “flakja” e gjyqtarëve në rrugë.

A po kërkon qeveria t’i marri kompetencat KLD-së?

Qeveria në çdo rrethanë nuk mundet t’i marrë kompetencat KLD-së. Besoj se ky nuk është synimi i mazhorancës. Qeveritë janë të përkohshme, nuk do t’i ushtrojnë përherë funksionet e tyre ndaj nuk ka qeveri që të kërkojë t’i marrë kompetencat gjyqësorit. Kjo gjë nuk mund të ndodhë sepse është antikushtetuese. Edhe sikur individë të veçantë të kenë dëshirë për ta bërë këtë gjë, ligjërisht nuk është e mundur. Sipas meje këto janë thjesht “zhurma” politike. E gjithë çështja është tek përzgjedhja e njerëzve që vendosen tek KLD-ja ndaj zhvillohet kjo “luftë” mes qeverisë dhe Presidentit. Duhet të vendosen kritere më të forta që të mos lejojnë as Presidentin dhe askënd tjetër që të vendosen në drejtësi njerëz pa eksperiencën e domosdoshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat