Tirana gati për vizitën e Papa Françeskut

Shqipëria

Tirana gati për vizitën e Papa Françeskut

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 12:23

Tirana është dekoruar si rrallëherë për vizitën e Papa Françeskut. Përgjatë bulevardit kryesor janë vendosur fotografitë e klerikëve të vrarë gjatë diktaturës komuniste. Ata do të jenë të parët që do të “takojnë” Papën në hyrje të bulevardit qendror të Tiranës.

Ambienti përpara Universitetit të Tiranës është kthyer në kantier ndërtimi, pasi po punohet me ritme të shpejta për të përfunduar në kohë skenën, ku do të kryhet Mesha e Shenjtë, si dhe ambienti ku do të ulen të ftuarit.

Masat e sigurisë janë tepër të rrepta.

Qarkullimi për automjetet pranë Presidencës dhe sheshit “Nënë Tereza” ku do të kryhet mesha e shenjtë, është bllokuar që ditën e premte, ndërkohë që ditën e diel do të bllokohet qarkullimi në disa rrugë të Tiranës, ndërkohë që policia, Garda e Republikës, punonjës të SHISH-it (Shërbimit Informativ Shtetëror), pritet që të jenë në gatishmëri.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste televizive, deklaroi se për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, Shërbimi Inteligjent i Vatikanit, është konsultuar me shërbimet inteligjente ndërkombëtare.

Ndërkohë, edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e vizitës së Papa Françeskut.

Ati i Shenjtë, do të zbresë në Aeroportin “Nënë Tereza” ku do të pritet nga kryeministri Rama, në orën 9 të mëngjesit.

Në orën 11.00 do të mbahet mesha në kuadër të Ditës së Paqes, nga sheshi “Nënë Tereza”, në Tiranë. Papa Françesku do të ketë edhe një drekë me ipeshkvijtë shqiptarë dhe më pas do të takohet edhe me krerët e besimeve të tjera në Shqipëri.

Në orën 17:00 do të kremtohet lutja mbrëmësore në Katedrale, e pastaj Papa Françesk do të vizitojë fëmijët e qendrës “Betania” në Fushë-Krujë, pak para largimit nga Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat