Territorialja, Meta: Gjithëpërfshirja me rëndësi, opozita të marrë pjesë

Shqipëria

Territorialja, Meta: Gjithëpërfshirja me rëndësi, opozita të marrë pjesë

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 14:09

Kreu i Kuvendit Ilir Meta i bën sërish apel opozitës që t’i bashkohet punimeve të Parlamentit pasi ditën e nesërme pritet të miratohen një sërë projektligjesh të rëndësishme. Duke vënë theksin në rëndësinë e gjithëpërfshirjes, Meta tha se opozita nuk duhet të vetëpërjashtohet nga procese të tilla të rëndësishme siç është një prej tyre miratimi i ndarjes së re administrative-territoriale.
“Për të gjitha aktet që janë në rendin e ditës për nesër është kryer një proces i gjatë konsultimi me të gjithë aktorët që kanë dashur të përfshihen. Gjithëpërfshirja vazhdon të mbetet parim i rëndësishëm dhe i domosdoshëm por është e rëndësishme që askush të mos vetëpërjashtohet nga procese të tilla të rëndësishme dhe shpresojmë që edhe opozita të marrë pjesë dhe të kontribuojë pavarësisht se këto ftesa kanë qenë të vazhduara”, tha Meta.
Duke u ndalur tek reforma territoriale, kreu i Kuvendit tha se janë realizuar konsultime të vazhduara lidhur me ketë reformë, ndërsa theksoi se pakënaqësi do të ketë në çdo rast.
“Komisioni i reformës administrative territoriale ka treguar mjaft fleksibiliteti. U propozuan 5 variante të ndryshme. Është zhvilluar një proces i gjatë konsultimi. Mirë do ishte që opozita të kishte marrë pjesë në këtë proces. duhet të kuptojmë se gjithmonë do të ketë pakënaqësi sa i takon ndarjes së re administrative. Ka gjithmonë vend për kritika, por çdo përmirësim që mund të ndodhë deri në fund është i mirëpritur, dhe po kështu është i mirëpritur çdo kontribut i opozitës”, theksoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat