Gjyqtarët, ndryshon vlerësimi Naço e Nishani nuk do votojnë

Shqipëria

Gjyqtarët, ndryshon vlerësimi Naço e Nishani nuk do votojnë

Më: 11 prill 2014 Në ora: 09:02

Gjyqtarët duhet të vetëvlerësojnë veten më pas të vlerësohen nga kryetari i gjykatës ku ushtrojnë funksionin, dhe se vlerësimi përfundimtar për ta do të kryhet vetëm nga një komision, i cili në çdo vlerësim do marrë një projekt-akt. Nëse gjyqtari nuk është dakort me vlerësimin, atëherë brenda 15 ditëve ai duhet t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Administrative të Apelit, për të kundërshtuar vendimin e komisionit të vlerësimit.

Këto janë disa ndryshime që do kryhen me anën e një ligji, që tashmë po projektohet në Ministrinë e Drejtësisë. Projektligji flet për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve, ku në këtë proces do të përjashtohet Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Kjo për shkak se këto dy figura janë politike dhe në këtë projektligj është menduar të përjashtohen nga votimi i gjyqtarëve.

skema e vetevleresimit te gjyqtareve

Kush do të vlerësojë?
Në ndryshim nga sistemi aktual sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit dhe siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent. Vlerësimi bëhet nga komisioni i vlerësimit të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.

Ky konfigurim korrespondon me anëtarët e KLD-së, por janë përjashtuar Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë, pasi janë autoritete politike.Procesi i vlerësimit do zhvillohet në dy nivele, në gjykatë dhe në komision.Gjyqtari bën vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës së tij, duke plotësuar formularin. dhe tabelat statistikore, dhe i dorëzon pranë kryetarit të gjykatës në të cilën ushtron veprimtarinë, brenda datës 31 janar të çdo viti. Më pas kryetari i Gjykatës bën vlerësimin e gjyqtarit në formën e aktit të shkruar.

Vlerësimi i kryetarit të gjykatës, i njoftohet gjyqtarit dhe ky i fundit ka të drejtën për t`u dëgjuar dhe paraqitur komentet e tij në lidhje me vlerësimin.Materialet e vlerësimit i dërgohen Komisionit.

Hiqet kryeinspektori
Në ndryshim nga sistemi i vjetër, ky projektligj ia heq kryeinspektorit detyrën për të përgatitur projektaktin e vlerësimit që në shumicën e rasteve linte vend për subjektivitet. Inspektorati i KLD-së shërben në këtë rast si mbështetje teknike për përgatitjen e dokumentacionit pranë Komisionit. Komisioni brenda 90 ditëve nga përfundimi i raportit paraprak të verifikimit prej Inspektoratit, shqyrton dosjen e vlerësimit të gjyqtarit apo kryetarit të gjykatës dhe projektaktin e vlerësimit, duke vendosur përfundimisht për vlerësimin e tyre.

Projektligji parashikon të drejtën e gjyqtarit për t`u dëgjuar nga komisioni, ku diskutohen elementë të ndryshëm të vlerësimit të punës së tij. Ai ka të drejtë të parashtrojë kundërshtimet e tij dhe t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të komisionit.Ndaj vlerësimit përfundimtar të komisionit, gjyqtari ka të drejtë të ankohet, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit, në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.Për gjyqtarët e gjykatës administrative të Apelit, ankimi bëhet në gjykatën e apelit, të një rrethi tjetër më të afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat