Uglanin: Sikur të ishte Sanxhaku shtet, menjëherë do ta njihte Kosovën, Vuçiqin nuk e njohim për president

Lajme

Uglanin: Sikur të ishte Sanxhaku shtet, menjëherë do ta njihte Kosovën, Vuçiqin nuk e njohim për president

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 19:10
Sulejman Uglanin

Kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNV) Sulejman Uglanin, ka deklaruar sot se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk është president i boshnjakëve, kurse kryeministrja Ana Brnabiq dhe anëtarët e Qeverisë së Serbisë nuk janë kryeministre as ministra të boshnjakëve në Serbi.

“Organet shtetërore serbe të shtetit serb, janë përfaqësues legjitimë të popullit serb interesat e të cilëve ata i përfaqësojnë, dhe mendoj se mirë po e bëjnë këtë. Ne duam të flasim me ta për marrëdhëniet e ardhshme, por ata nuk janë kryeministrat, presidentët, ministrat ose deputetët tanë. As Vuçiq, as Brnabiq, as Daçiq, as Vulin. Le ta heqin këtë nga kokat e tyre”, tha Ugljanin në një konferencë shtypi.

Siç raporton “Beta”, Uglanin ka thënë se Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve si përfaqësues i interesave të boshnjakëve në Serbi, në përputhje me ligjin ka ftuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli për të vizituar Novi Pazarin, të cilin autoritetet serbe nuk e lejuan, duke bërë kërcënime të rrezikshme ndaj boshnjakëve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë, të zgjedhur.

“Dëgjova se presidenti serb i shtetit serb, Vuçiq, ka deklaruar se përkujdeset për boshnjakët. Mos të  shqetësohet ai për boshnjakët, sepse ata, për të cilët ai është përkujdesurkanë përfunduar në Srebrenicë, 8,372 prej tyre. Deklarata e Vuçqit se 100 boshnjakë duhet të vritet për një serb, ka inspiruar krimet kundër boshnjakëve në Srebrenicë, Sanxhak dhe në Kosovë”, tha Uglanin.

Ai ka kërkuar nga kryeministrja serbe Ana Brnabiq që të kërkojë falje për kërcënimet ndaj muslimanëve dhe përfaqësuesve të tyre dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Kombeve të Bashkuara që të shqyrtojnë kërcënimet e saj.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Këshilli Kombëtar Boshnjak me ftesën që i ka bërë Pacollit e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Uglanin tha se Kosova është njohur nga 147 shtete.

“Po të ishim ne shtet [Sanxhaku], unë menjëherë do ta njihja [Kosovën]. Por, nuk jemi”, tha Ugljanin.

Ai njoftoi se së shpejti do të vizitojë Kosovën dhe do të takohet me Pacollin për t’iu falënderuar për vullnetin e tij të mirë dhe gatishmërinë për të vizituar Novi Pazar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat