​Subvencionimi i teksteve shkollore, formohet komisioni hetimor parlamentar

Aktuale

​Subvencionimi i teksteve shkollore, formohet komisioni hetimor parlamentar

Më: 26 prill 2024 Në ora: 15:35
Foto nga Komisioni

Është bërë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë se qëllimi i formimit të komisionit është që të shikohet se si ka shkuar procesi për tekstet shkollore.

Dreshaj: Do të hetojmë procesin e subvencionimit të teksteve mësimore

"Ky komision hetimor veprimtarinë dhe strukturën e ka të aprovuar bazuar në ligjin për hetim parlamentar. Qëllimi tij është të shohim si ka shkuar ky proces, a ka lëshime apo ka qenë çdo gjë në rregull. Kanë qenë informatat në opinion për dështimin me kohë të teksteve mësimore, ka pasur fjalë tjera që janë ndërlidhur rreth kostove dhe mënyrës së blerjeve, shpërndarjes. Ka qenë një opinion për dëmtimin e buxhetit të shtetit gjatë këtij procesi. Ne e kemi bërë një draft-propozim për agjendën që do të punojmë", tha Dreshaj.

Deputeti nga LVV, Armend Muja ka propozuar që javën që vjen t'i përkushtohen këtij qëllimi dhe të bëhet një plan pune. Ndërsa, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi është shprehur e shqetësuar me gjendjen aktuale në arsim. Sipas saj, edhe sot shumë nxënës nuk janë të pajisur me libra shkollorë.

Dumoshi: Edhe sot shumë nxënës nuk i kanë librat

"Është e dhimbshme se për tri vjet kjo qeveri ka bërë që procesi mësimor të mos fillojë me kohë, ku rreth 220 mijë nxënës kanë humbur me mijëra orë për shkak të mungesës së librave. Jemi të vetëdijshëm që edhe sot shumë nxënës nuk i kanë librat", tha Dumoshi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arjeta Fejza, e cila tha se ky është konstatim i vetë deputetes.

Dreshaj ka propozuar që ky komision të mbahet të premten në orën 13:30. Me këtë u pajtuan deputetet prezentë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat