​Rreth 22 miliardë euro llogariten dëmet materiale nga lufta e fundit në Kosovë

Aktuale

​Rreth 22 miliardë euro llogariten dëmet materiale nga lufta e fundit në Kosovë

Më: 26 prill 2024 Në ora: 12:07
Pamje nga lufta e fundit në Kosovë

Institucioni i Avokatit të Popullit po mban një tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Këshilltari juridik në këtë institucion, Labinot Sheremeti, tha se Avokati i Popullit gjatë vitit 2023 ka publikuar raportin për drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e mekanizmave të saj, ku qëllimi i tij ka qenë në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve.

Sheremeti: Avokati i Popullit gjatë vitit 2023 ka publikuar raportin për drejtësinë tranzicionale

“Avokati i Popullit gjatë vitit 2023 ka publikuar raportin për drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e mekanizmave të saj me qëllim të vlerësimit të se sa kanë qenë institucionet e Republikës së Kosovës në nivël të përmbushjes së detyrave sa i përket zbatimit të mekanizmave të drejtësisë tranzicionale me fokus në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve”, tha ai.

Duke folur për numrin e viktimave gjatë luftës së fundit në Kosovë, Sheremeti tha se edhe pse nuk kanë të dhëna zyrtare, sipas organizatave vendore e ndërkombëtare, del se mbi 13.500 persona janë vrarë ose zhdukur gjatë viteve 1998-2000.

Ai tha se prej tyre kanë 10 mijë civilë, e prej tyre 1133 fëmijë të vrare ose të zhdukur, ku fati i afër 1600 personave vazhdon të mbetet i pazbuluar.

Ndërkaq, duke folur për dëmet materiale të luftës, Sheremti tha se sipas llogaritjeve del se dëmet janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro, përfshirë 120 mijë shtëpi të shkatërruara.

Sheremeti: Përllogariten rreth 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe dëmet materiale sipas ekspertëve janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro

“Edhe pse nuk kemi të dhëna zyrtare sa i përket krimeve të kryera gjatë luftës, bazuar në të dhënat e mbledhura dhe të publikuara nga organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe ekspertë të ndryshëm të fushës, del se rreth 13.535 persona janë vrarë apo zhdukur gjatë viteve 1998-2000. Mbi 10 mijë prej tyre kanë qenë civilë, 1133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë apo të zhdukur, ende vazhdon të mbetet i paditur fati i rreth 1.600 personave të zhdukur. Në varresat masive në Serbi deri në vitin 2021 janë gjetur rreth 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë. Përllogariten afro rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale, mbi 2 mijë persona janë dërguar në mbajtje në burgje në Serbi pas përfundimit të luftës. Së paku 810 mijë qytetarë të Kosovës kanë qenë refugjatë, përllogariten rreth 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe dëmet materiale sipas ekspertëve janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro”, tha ai.

Ai përmendi edhe ndryshimin e Kodit të procedurës penale me të cilin është mundësuar gjykimi në mungesë për të dyshuarit që kanë kryer krime lufte dhe se aktakuzat e para veç se janë ngritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat