Zëvendëskryeministri serb pranon gjithçka për Kosovën, përveç një gjëje

Lajme

Zëvendëskryeministri serb pranon gjithçka për Kosovën, përveç një gjëje

Më: 30 korrik 2017 Në ora: 00:03
Rasim Lajiq

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të jetë në tri faza, duke nisur nga pranimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përjashtuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe pa njohje nga ana e Serbisë, ndërsa në këmbim do të kërkonim përfitime konkrete financiare.

Kjo do të jetë, shkurtimisht, përmbajtja e platformës për zgjidhjen e problemit me Kosovën të cilën do t’ia dorëzojë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe lideri i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, Rasim Lajiq.

“Novosti” shkruar se ky është propozimi i parë konkret i një partie e cila ka dalë publikisht pasi Vuçiq njoftoi për hapjen e dialogut të brendshëm për Kosovën.
Lajiq mendon se “konflikti i ngrirë” me Kosovën nuk i konvenon Serbisë dhe se duhet vepruar tani sepse “çdo gjë tjetër çon në pavarësi të ngadalshme, ndaj së cilës Serbia nuk do të fitojë asgjë”.

“Qëllimi duhet të jetë normalizimi, pa njohje, dhe kjo të bëhet në disa faza. Faza e parë e dialogut nënkupton mundësimin e bashkëpunimit të plotë ekonomik me Kosovën. Në këtë kohë, përmes pikave administrative kalojnë mbi 400 milionë euro mallra në vit, por kjo mund të dyfishohet përderisa nuk do të ekzistonin pengesa ligjore e politike. Serbia nuk mund të ketë më ndikim politik ndaj Prishtinës, por ndikimin politik mund ta mbajë se ç’ke me të”, ka deklaruar Lajiq.

Sipas tij, faza e dytë do të jetë hapja e çështjes së statusit të serbëve në Kosovë, ndërsa AKS-në (Asociacioni i komunave serbe) e sheh si një formë të vetëqeverisjes për ta. Veç asaj, “duhet negociuar edhe çështjen e pasurisë dhe trashëgimisë kulturore të Serbisë në Kosovë”

“Hapi i tretë do të ishte bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përjashto OKB-në, me përfitime të qarta për Serbinë”, shton Lajiq. “Në fund të fundit, sikur të mund ta bënin pa ne, ato diskutime as që do të ishin të nevojshme”

Nga ana tjetër, sipas tij, Serbia do të mund të kërkonte shumëllojshmëri gjërash, “nga mbështetja financiare për zhvillimin e infrastrukturës, deri tek përshpejtimi i rrugës drejt Bashkimit Evropian, dhe në fazën përfundimtare duhet të hapë negociatat mbi statusin përfundimtar”.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe shef i Këshillit parlamentar për Kosovë, Milovan Drecun, thotë se ky është vetëm një propozim në fillim të dialogut të brendshëm dhe se për këtë do të bisedohet tek më vonë.

“Për ne është e papranueshme njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtarësimi i saj në OKB. Për gjithçka tjetër mund të bisedojmë”, u shpreh Drecun.
Ndërkaq, mendim krejtësisht tjetër ka lideri i Partisë Liberale, Çedomir Jovanoviq i cili thotë se Serbia duhet të ndalojë së bllokuari Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshi edhe OKB-në. Ai, megjithatë, thotë se “nuk është fjala për vendimin e Serbisë për ta njohur Kosovën” dhe se deri tek një qëndrim i tillë “do duhej të vijnë fëmijët tanë në një mënyrë normale”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat