Komuna e Prishtinës arrin në finalen e “Albanian ICT Awards”

Lajme

Komuna e Prishtinës arrin në finalen e “Albanian ICT Awards”

Më: 29 prill 2016 Në ora: 21:52

Me projektin digjital të shërbimeve publike, i njohur si E-kioska, Komuna e Prishtinës po merr pjesë në edicionin e katërt të “Albanian ICT Award” në Tiranë. Veç kësaj, me këtë produkt, Prishtina është përzgjedhur në mesin e tre kandidatëve final në kategorinë “Shërbimi Publik i Vitit”. Në ceremoninë e cila po mbahet në Tiranë, sonte do të ndahen shpërblimet për shtatë kategori. Komuna e Prishtinës po pret që të dalë e para në kategorinë e shërbimeve publike.

Komuna e Prishtinës është e para në Ballkan që ofroi një shërbim të tillë digjital për qytetarët, të cilët tash e një vit kanë mundësi të vet-shërbehen në mënyrë që të nxjerrin ekstraktin e lindjes dhe dokumente të tjera vetëm për disa minuta.

Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi i cili po merr pjesë në ceremoni tregoi për përzgjedhjen që i është bërë Prishtinës në “Albanian ITC Awards”. Ai tha se pret që Prishtina të marrë pozitën e parë.

Nushi: Shërbimi digjital ka bërë jehonë të madhe

“Pas ftesës për aplikim të cilin e kam marrë nga ICT Awards, është bërë përzgjedhja e kategorisë së ngushtë nga juria ndërkombëtare shumë profesionale nga lëmia e ICT-së, ndërsa në fund të javës së kaluar janë informuar vetëm tre finalistë të cilët janë përzgjedhë për pjesëmarrje në garën e sontme. Besoj edhe ne si Komunë e Prishtinës e kemi jap kontributin në këtë aspekt të shërbimeve publike, në këtë aspekt, posaçërisht në përmirësimin e jetesës së qytetarëve tanë.….Produkti me të cilin kemi dalë vitin e kaluar, bëhet fjalë për produktin e vitit të kaluar, ose me këtë shërbim, ka bërë jehonë shumë të madhe, jo vetëm në shtetet e Ballkanit perëndimor ku për herë të parë është implementuar ky produkt, e-kioska, por edhe në shumicën e shteteve të bashkësisë evropiane. Andaj pres pozitën e parë sonte”, thotë ai.

Kjo teknologji e ofruar nga Komuna e Prishtinës që u ofron qytetarëve nxjerrjen e dokumenteve nga zyra e gjendjes civile, pa pasur nevojë të shkojnë në sportel, është mirëpritur nga juria e kësaj ceremonie dhe komunat tjera pjesëmarrëse. Nushi tha se përmes kësaj teknologjie janë nxjerr mijëra dokumente për më pak se një vit.

Nushi: Aparati ka nxjerrë mi jëra dokumente për më pak se një vit

“Nga 11 qershori deri më sot shfrytëzueshmëria e këtij aparati është rreth 13 mijë dokumente – që u janë dhënë qytetarëve tanë për periudhë shumë më të vogël sesa një vjeçare. Andaj edhe kostoja e investimit është shumë pozitive”, thotë ai.

Në këtë natë finale të “Albanian ITC Awards”, finalistët janë përzgjedhur nga komisioni ndërkombëtar i ceremonisë. Në garë është paraqitur një numër i madh aplikacionesh.

Juria përbëhet nga një numër i madh i anëtarëve që janë përfaqësues të ministrive, kompanive vendore e të jashtme.

Produkti i shërbimeve publike E-kioska, është lansuar më 11 qershor të 2015’ës.

Nga ky sistem automatik i mundësuar nga Komuna e Prishtinës, ofrohen gjithsej pesë lloje të dokumenteve, ai i ekstraktit të lindjes, certifikata e martesës, certifikata e shtetësisë dhe vendbanimit në gjuhën shqipe, në serbisht dhe anglisht.

Këto dokumente mbulojnë 85 për qind të kërkesave të përgjithshme të qytetarëve në Komunën e Prishtinës.

Sistemi funksionon 24 orë dhe është plotësisht i digjitalizuar dhe për 30 sekonda mund të merret dokumenti i kërkuar.

Vlerësimin final për këtë produkt, si konkurrues në Albanian ICT Awards, pritet ta jepet sonte gjatë ceremonisë së natës finale e cila aktualisht është duke u mbajtur në Tiranë.

Në ceremoni po marrin pjesë kryetarë të komunave të ndryshme të vendeve të Ballkanit, dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme vendore e të huaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat