Kadri Veseli: Thaçi 8 vjet ishte në opozitë, por askënd nuk e qiti në rrugë

Lajme

Kadri Veseli: Thaçi 8 vjet ishte në opozitë, por askënd nuk e qiti në rrugë

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 22:50

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë thirrje partive opozitare që të reflektojnë.

Veseli, që po pret të bëhet kryetar i PDK-së, kur shefi i tij aktual në parti Hashim Thaçi të ngjitet në krye të shtetit, ka shprehur bindjen se me veprimet e veta opozita po e dëmton rëndë imazhin e vendit.

Veseli e Thaçi bashkë kanë qenë sonte në Gjakovë e Pejë, prej ku Veseli ka përsëritur thirrjen që partitë parlamentare të ulen e të bashkëpunojnë, për siç ka thënë ai, integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas Veselit partitë opozitare po bëjnë luftë të hapur për pushtet.

“Kjo opozita që tash nuk po duron të rrijë pa pushtet, duhet ta dijë se ky njeri 8 vjet ka qenë pa pushtet. Asnjëherë nuk ka bërtitur. Askënd nuk e ka qitur në rrugë e askënd nuk e ka nxitur t’i marrë armët e të luftojë për pushtet.

A keni dëgjuar ndonjëherë prej këtij njeriu që e ka ftuar dikë të dalë e të luftojë për pushtet. Jo! 8 vjet ka pritur dhe me vullnetin e qytetarëve të Kosovës është bërë kryeministër”, ka thënë Veseli teksa i është drejtuar Thaçit.

Veseli nuk e ka kontestuar për asnjë çast mundësinë që Thaçi të ngjitet në krye të shtetit, ndërsa ka thënë se një gjë e tillë do të nënkuptonte “hov të shpejtë i zhvillimit dhe integrimit të Kosovës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat