Kush po e destabilizon Kosovën!?

Lajme

Kush po e destabilizon Kosovën!?

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 11:54

A është duke u destabilizuar vërtetë Kosova dhe kush po e bën këtë? Një dilemë që ka muaj që po vihet në diskutim, pro pa një zgjidhje përfundimtare. Së fundi kjo është ngritur nga zyrtarë të lartë të shtetit, por me shpresë që ta heqin fajin nga vetvetja, madje duke e hedhur tej Ballkanit, drejt lindjes. Zaten andej mendohet se fillojnë gjithmonë problemet.
Këtë debat e ka hapur numri dy i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild Zeitung”, ku ka theksuar duke iu referuar zhvillimeve në Kosovë, se Rusia është ajo po provon destabilizimin e vendit ndërsa ka pohuar se janë edhe dy faktorë tjerë ekstremizmi fetar i shfaqur nëpërmjet ISIS-it dhe kriza e refugjatëve.
Zoti Thaçi nuk e dimë se kush po të destabilizon ty ma shumë, por neve ma shumë se PDK-SHIK-u, askush nuk po na destabilizon.
Në fakt ne jemi të destabilizuar që kur shërbimi juaj i filloi vrasjet politike, me ministrin e Mbrojtjes Ahmet Krasniqin, dhe deri tek vrasjet e fundit politike.
Në fakt për ekstremizmin fetar në Kosovë, sërish përgjegjësinë më të madhe e ka partia e tij, pasi përgjatë dy mandateve të qeverisjes së saj, u rrit përhapja e vahabizmit, si hallka ndërlidhëse me ISIS-in dhe ekstremizmin fetar përgjithësisht.
Ndërsa, argumentet tjera lidhur me këtë lloj rryme dhe islamin radikal i kemi shprehur në vazhdimësi, e të cilat kryqëzohen para së gjithash me diplomacinë serbe, prandaj nuk po e debatojmë më tej këtë tani.
Është e vërtetë që në rastin e Malit të Zi, pas forcimit të raporteve me Serbinë, edhe Maqedoninë, ka pasur një investim nga Rusia tek organizatorët e protestave atje, për ta mundur linjën pro perëndimore dhe proamerikane. Dhe po ashtu ka të drejtë kur Thaçi ka tërhequr vërejtjen se Rusia, përmes ndërhyrjes në rajon është duke investuar kundër shteteve, të cilat aspirojnë anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Por, ende nuk ka asnjë kauzalitet ndërmjet ngjarjeve në Kosovë dhe interesit rus, pavarësisht bindjeve të majta politike dhe veprimeve të Vetëvendosjes.
Kosova ndodhet në krizë të shumëfishtë, që para së gjithash rrjedh nga situata e padëshirueshme apo e papërballueshme politike, e krijuar me vite, për shkak të varfërisë, papunësisë, krimit të organizuar, korrupsionit, dhe dëmtimit të vazhdueshëm të interesit nacional të shqiptarëve. E së fundi kulminacioni është arritur me dy marrëveshjet, ajo për Asociacionin me Serbinë, dhe tjetra, Demarkacioni me Malin e Zi. Që të dyja marrëveshje, me të cilat Qeveria lëshon pe, dhe që shkojnë në favor të ortodoksëve, pra të shtetit serb, ku Rusia tashmë është e përfshirë edhe me një bazë të saj gati të plotë ushtarake, dhe në Mal të Zi, ku përveç okupimit ekonomik, po provon ta bëjë edhe atë politik. Pra, nëse kundërshtimi i këtyre dy marrëveshjeve po bëhet, atëherë haptazi mos realizimi i tyre cenon interesat ruse.
Ndërsa, sjellja obediente ndaj të huajve e pushtetarëve tanë tregon se ata nuk e kanë në qendër të politikës së tyre interesin nacional, shtetëror, por e kanë atë personal. Prandaj, problemet, lëshimet nuk po rrjedhin as nga Perëndimi as nga Lindja, por, nga interesat para së gjithash personale. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat